Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Shërbimet e Rezonancës Magnetike bëhen vetëm në QKUK, spitalet rajonale pa aparatura

Y. H., nga Ferizaj është i detyruar të pres rreth tre muaj për të kryer shërbimin e Rezonancës Magnetike në Klinikën e Radiologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, pasi që shërbimi i tij është e pamundur të kryhet më shpejtë, e një shërbim i tillë nuk ofrohet në spitalin rajonal të Ferizajt.

Duke dashur të mbesë anonim ai thotë se pas rekomandimit të ortopedit ka shkuar në Radiologji për rezonancë magnetike, por në terminin e bërë thuhet se duhet të pres deri në tre muaj për këtë shërbim.

“Më ka rekomandu ortopedi me ba një fotografim të quajtur MRI në QKUK – Radiologji edhe isha me 10 gusht 2021 në Radiologji me ba termin, termini që m`u dha mua ishte 10 nëntor 2021 që do të thotë duhet me prit 90 ditë (3 muaj) për një fotografim”, tregon Y. H. për KALLXO.com.

Mungesa e aparaturës në këtë klinikë është duke e vështirësuar ofrimin e shërbimeve më shpejtë për pacientët ambulantor pasi që kjo klinikë ka vetëm dy aparatura, ndërsa, pacientët e hospitalizuar marrin shërbimet për rezonancë magnetike varësisht prej nevojave të tyre e për të cilët nuk ka listë të pritjes.

“Marrë parasysh se në Klinikën e Radiologjisë janë dy aparatet e vetme të Rezonancës Magnetike në sektorin publik, e një kontrollim me këtë aparat mund të zgjasë prej 15 deri 45-55 minuta, atëherë edhe numri i procedurave që mund të realizohen në ditë është i kufizuar”, thotë drejtori i Radiologjisë në QKUK, Bujar Gjikolli për KALLXO.com.

Gjikolli, ka bërë të ditur se deri para tre viteve pacientët ambulantor kanë pritur deri në 11 muaj për të kryer shërbimin e rezonancës magnetike përderisa ai thotë se për një periudhë të shkurtër gjatë vitit 2020 kanë arritur të sjellin në zero numrin e pacientëve të cilët kanë pritur për këtë shërbim, e të cilën udhëheqësi i klinikës e quan arritje të madhe, përderisa thotë se edhe në vendet e Bashkimit Evropian pacientët presin për një shërbim të tillë.

Në klinikën e radiologjisë është thjeshtëzuar sistemi i përcaktimit të termineve dhe pacientët tani kanë mundësi të përcaktojnë termine çdo ditë për pesë ditë të javës në orarin e paraditës dhe të pasditës.

Shërbimi i rezonancës magnetike bëhet vetëm në Klinikën e Radiologjisë por jo edhe në shtatë spitalet rajonale në vend, drejtori thotë se “pacientët nga gjithë Kosova vijnë për të caktuar ekzaminime në këto dy aparate që kemi”.

Ai poashtu ka theksuar se në gjashtë mujorin e parë të këtij viti në Klinikën e Radiologjisë kanë marrë shërbim 82 mijë e 655 pacientë, kështu duke thyer rekordin e shërbimeve në këtë klinikë.

Spitalet pa Rezonancë Magnetike

Përveç Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, në nivel vendi shërbime shëndetësore për qytetarët ofrohen edhe në shtatë spitalet rajonale në vend, në Ferizaj, Mitrovicë, Gjakovë, Vushtrri, Gjilan, Prizren dhe në Pejë.

Asnjëra nga këto spitale nuk ofrojnë shërbimin për rezonancë magnetike për qytetarët e regjioneve të tyre, pasi që këto spitale nuk kanë aparatura për Rezonancë Magnetike.

Kërkesë për furnizim me aparaturë për rezonancë magnetike në Shërbimin Spitalor Klinik Universitar ka bërë drejtori i radiologjisë, Bujar Gjikolli.

Përveç spitaleve rajonale ai thotë se janë në përgatitje e sipër të Klinikës së Pediatrisë për ofrimin e shërbimeve të Rezonancës Magnetike.

“Besojmë që deri në fund të vitit aparati në spitalin e ri të fëmijëve do të instalohet sipas informatave të cilat implementuesi i ka dhënë”, thot tutje ai.

Rezonanca Magnetike

Rezonanca Magnetike është shërbim imazherik radiologjikë, i cili ndahet në me radiografi, me ultratingull, tomografi të kompjuterizuar, rezonancë magnetike.

Përmes procedurat minimale invazive të radiologjisë klinicistët apo mjekët tjerë arrijnë deri te diagnoza dhe përcaktojnë trajtimin e duhur por edhe vlerësojnë të arriturat e terapisë së aplikuar.

Metoda imazherike e rezonancës magnetike ndihmon në paraqitjen e indeve të trupit dhe është pa rrezatim jonizues, që do të thotë  është e pa dëmshme për shëndetin e njeriut.

Rezonanca Magnetike aktualishtë është metoda më e kërkuar nga të gjithë klinicistët.