Prishtinë, protestohet në përkrahje të shqiptarëve në Luginë të Preshevës

Partia e Ballit Kombëtar Demokrat Shqiptar (BKD) ka protestuar të hënën në Prishtinë për siç kanë deklaruar ‘ndaj presionit të cilin Serbia po ushtron në Luginën e Preshevës’.

Kryetari i BKD-së Nikollë Perkaj tha se arsyeja e protestës është garantimi i të drejtave të qytetarëve të Luginës së Preshevës.

“Protesta po zhvillohet njëzëri që popullatës shqiptare në Preshevë, Bujanovc, Medvegjë dhe Sanxhak t`u njihet e drejta e lirive që e garanton Konventa Ndërkombëtare Për të Drejtat e Njeriut”, tha ai.

“Thirrja që serbët t`i lënë qytetarët e kësaj zone të qetë duhet të vijë ose përndryshe do t`i kundërpërgjigjemi sikurse në vitin 1999”, shtoi ai.

Perkaj deklaroi se “Qeveria e Kosovës dhe Shqipërisë i ka dhënë hapësirë Serbisë që të sulmojë në mënyrë politike dhe të bëjë një agresion ndaj nesh”.

Protesta u zhvillua në mënyrë paqësore nën mbikëqyrjen e forcave të rendit.

Protestuesit marshuan nga sheshi “Zahir Pajaziti” deri tek sheshi “Skënderbeu”.