Prishtinë, kurorëzimi ende po bëhet vetëm në sportel

Nga qershori i vitit 2020, ceremonitë e kurorëzimit në komunë po kryhen në sportel në prani të dy dëshmitarëve.

Salla e ceremonive që funksiononte tre herë në javë, e hënë, e mërkurë dhe premte, është mbyllur që nga shfaqja e COVID-19, pasi nuk lejohet prezenca e familjarëve apo mysafirëve tjerë në ceremoni me qëllim mbrojtjen e shëndetit.

Shaip Islami nga Zyra e Gjendjes Civile në komunë tha për KALLXO.com se ndalesa për termine të reja, ka qenë nga marsi në qershor 2020, kurse kurorëzimet po vazhdojnë të kryhen pa ceremoni vetëm me bashkëshortët dhe dy dëshmitarë në sportel.

“Nga data 13.03.2020 deri në 01.06.2020 procedurat e kurorëzimit janë kryer vetëm ato me raste urgjente, pa termine të reja. Nga muaji qershor kemi filluar të caktojmë termine për të gjithë qytetarët e Prishtinës. Për shkak të situatës në të cilën ndodhemi me COVID -19 procedura e kurorëzimit kryhet në sportel vetëm me dy bashkëshortët dhe dy dëshmitarët”, ka  thënë Islami.

Gjatë kësaj periudhe tre mujore që nuk u caktuan termine, kurorëzimet kanë mundur të bëjnë vetëm ato çifte që kanë caktuar datën më herët, para shfaqjes së pandemisë.