Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe ambasadori i Austrisë në Kosovë, Christoph Weidinger më 7 dhjetor 2021, Foto: Presidenca e Kosovës

Presidentja vijon takimet me ambasadorët, pret diplomatin austriak

Presidentja e  Kosovës, Vjosa Osmani, ka vijuar takimet me ambasadorët e vendeve evropiane në Kosovë.

Pas ambsadorit britanik Nicholas Abbott, ajo ka pritur në takim ambasadorin e Austrisë në Kosovë, Christoph Weidinger.

Sipas njoftimit të Presidencës, takimi u realizua me qëllim të diskutimit të të arriturave dhe sfidave përgjatë vitit 2021, si dhe për të diskutuar mbi mundësitë për thellim të bashkëpunimit në vitin e ri.

“Presidentja Osmani vlerësoi lartë prezencën aktive dhe angazhimin e vazhdueshëm të Austrisë në Kosovë dhe mbështetjen për integrim në Bashkimin Evropian. Ajo ritheksoj përkushtimin e Kosovës për intensifikim të vazhdueshëm të shkëmbimeve dhe vizitave bilaterale, si vazhdimësi e takimeve të realizuara në qershor të këtij viti me presidentin austriak Alexander Van der Bellen dhe me krerët e institucioneve tjera austriake”, thuhet në komunikatën për media.

Tutje theksohet se në takim palët diskutuan po ashtu edhe për zhvillimet e fundit në vend, situatën me pandeminë, si dhe zhvillimet në kuadër të procesit të dialogut.