Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Nicholas Abbott më 7 dhjetor 2021, Foto: Presidenca e Kosovës

Osmani takon ambasadorin britanik, e mirëpret emërimin e të dërguarit të posaçëm të Britanisë për Ballkanin

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim ambasadorin e Britanisë së Madhe në Kosovë, Nicholas Abbott.

Presidenca ka njoftuar se Osmani e ka falënderuar ambasadorin britanik për mbështetjen që Britania e Madhe u ka dhënë institucioneve të Kosovës gjatë vitit 2021.

Ajo po ashtu ka mirëpritur emërimin e të dërguarit të posaçëm të Britanisë së Madhe për rajonin si shprehje e mbështetjes për paqen, sigurinë dhe stabilitetin e rajonit “përballë kërcënimeve dhe rreziqeve me te cilat ballafaqohet rajoni”.

Presidentja Osmani këmbeu vështrime me ambasadorin Abbott lidhur me ecurinë e dialogut dhe rolin pozitiv që mund të luajë Britania e Madhe në këtë drejtim.

Tutje, presidentja thuhet se ka shprehur gatishmërinë për të intensifikuar raportet e Kosovës me Britaninë e Madhe gjatë vitit vijues në fushën e shkëmbimeve tregtare dhe bashkëpunimit në çështjet e sigurisë dhe mbrojtjes.

Kurse, ambasadori Abbott i ka prezantuar presidentes Osmani nismën globale të Britanisë së Madhe kundër dhunës seksuale si mjet lufte.

“Në këtë drejtim, Presidentja Osmani ka shprehur mbështetjen e Republikës së Kosovës për të qenë pjesë e kësaj nisme duke u bërë pjesë e Deklaratës së përbashkët kundër dhunës seksuale në konflikt dhe konferencës së shteteve mbështetëse që parashihet të mbahet gjatë vitit 2022”, thuhet në komunikatën për media.

Javën e kaluar, kryeministri i Britanisë së Madhe, Boris Johnson e ka emëruar Stuart Peach, të dërguar të posaçëm për Ballkanin Perëndimor.

Qeveria britanike kishte theksuar se i dërguari i posaçëm do të punojë me partnerët në mbështetje të dialogut Kosovë-Serbi, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Ballkani Perëndimor do të ketë katër të dërguar specialë nga Bashkimi Evropian, Britania e Madhe dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në dy vitet e fundit, këto vende kanë emëruar të dërguarit e tyre, Bashkimi Evropian Mirosllav Lajçak për dialogun Kosovë-Serbi, Matthew Palmer nga SHBA-ja si përfaqësues i posaçëm për reformën zgjedhore në Bosnjë dhe Hercegovinë, Gabriel Escobar po ashtu nga SHBA-ja si përfaqësues i posaçëm, dhe së fundi Stuart Peach u emërua përfaqësues special nga Britania e Madhe.

‘Stuhia e artilerisë politike’ euro-amerikane në Ballkanin Perëndimor