Vjosa Osmani

Presidentja Osmani u takua me ministrin suedez, i kërkon mbështetje për anëtarësimin e Kosovës në BE

Presidentja Vjosa Osmani është takuar sot me ministrin e Punëve të Jashtme të Suedisë, Tobias Billström, i cili po qëndron në Kosovë.

Në këtë takim u diskutua për situatën aktuale politike në vend e rajon, dialogun me Serbinë si dhe aplikimin e Kosovës për anëtarësim në BE.

Presidentja Osmani ka kërkuar mbështetje nga ministri suedez në aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

“Presidentja Osmani ka theksuar se me liberalizimin e vizave për Kosovën, mori fund padrejtësia ndaj qytetarëve të Kosovës. Por, sipas Presidentes Osmani, synimi i Kosovës është që të bëhet edhe anëtare e familjes së madhe evropiane. Në këtë kontekst, Presidentja Osmani kërkoi mbështetje nga ministri Billström që Suedia si kryesuese e Këshillit të BE-së, ta mbështes aplikimin e Kosovës për anëtarësim në BE, i cili është orientim strategjik”- thuhet në komunikatën e Presidencës.

Presidentja e Kosovës gjatë takimit me ministrin Billström ka theksuar se Serbia po vazhdon me obstruksione sa i përket zbatimit të marrëveshjes së arritur.