Foto: ZPRK

Presidentja Osmani takoi presidentin e Kenisë, William Ruto

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, e cila po qëndron në New York, ku po mbahet sesioni i 78-të i Asamblesë së Kombeve të Bashkuara, ka zhvilluar një takim me presidentin e Kenisë, William Ruto.

Sipas komunikatës së Presidencës, në këtë takim Osmani e ka falënderuar homologun Ruto pas vendimit të Kenisë për njohjen e pasaportave të Republikës së Kosovës dhe në të njëjtën kohë ka shtruar nevojën e thellimit të marrëdhënieve diplomatike në të mirë të qytetarëve dhe shteteve.

“Mezi presim ndërmarrjen e hapave të përbashkët që do t`i afrojnë tutje vendet dhe popujt tanë”- citohet të ketë thënë Osmani.

Tutje në këtë takim sipas komunikatës është diskutuar edhe për mundësinë e bashkëpunimit ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Kenisë, si dhe nxitjen e shkëmbimeve tregtare dhe ekonomike.

“Presidentja Osmani në një pjesë të takimit foli edhe për përkushtimin e Kosovës për zhvillim të qëndrueshëm dhe mundësinë e nismave të përbashkëta në fusha të tilla si energjia e rinovueshme dhe ndryshimet klimatike”- thuhet në komunikatë.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, dje ka udhëtuar për në New York.

Presidentja Osmani udhëton për New York, do të ketë takime të shumta dhe do të marrë pjesë në pritjen e organizuar nga presidenti Biden