Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani. FOTO: Presidenca e Kosovës.

Presidentja Osmani udhëton për New York, do të ketë takime të shumta dhe do të marrë pjesë në pritjen e organizuar nga presidenti Biden

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka udhëtuar për në New York të SHBA-së, ku në kuadër të sesionit të 78-të të Asamblesë së Kombeve të Bashkuara do të zhvillojë takime me liderë botërorë dhe organizata ndërkombëtare.

Sipas komunikatës për media nga Presidenca e Kosovës, gjatë kësaj vizite, presidentja  në takime me homologët e saj do të flasë për zhvillimet e fundit në Kosovë, sikurse edhe për synimet e Kosovës për krijimin e raporteve me shtetet anëtare të OKB-së dhe anëtarësim në organizata ndërkombëtare. Ajo po ashtu do të marrë pjesë edhe në aktivitete e diskutime të shumta të organizuara nga shtetet aleate.

“Përveç takimeve, Presidentja do të mbajë diskutime në disa nga universitetet dhe institucionet më prestigjioze në SHBA”-thuhet në komunikatë.

Gjithashtu është bërë e ditur se presidentja është ftuar së bashku me bashkëshortin e saj, Prindon Sadriu, që të marrin pjesë në pritjen zyrtare të organizuar nga presidenti i SHBA-së, Joe Biden.

“Ndërkaq, Zotëria i Parë, gjithashtu është ftuar të marrë pjesë në një pritje të veçantë, të organizuar nga Zonja e Parë e SHBA-së, Jill Biden.” – thuhet në njoftim.

Në agjendën e presidentes Osmani do të jenë edhe një sërë aktivitetesh të përbashkëta me mërgatën shqiptare në Amerikë si dhe disa nga shoqatat të cilat zhvillojnë aktivitet në SHBA.