Kontingjenti i FSK-së pjesëmarrëse në Operacionin Interflex. Foto: Ministria e Mbrojtjes

Presidentja Osmani iu uron suksese ushtarëve të FSK-së në operacionin për trajnimin e ushtarëve ukrainas

Ushtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës që janë pjesëmarrës në operacionin “INTERFLEX” me anë të të cilit synohet trajnimi i ushtarëve ukrainas, presidentja e vendit iu ka uruar suksese.

“Iu uroj suksese ushtarëve tanë të FSK-së derisa ata nisin operacionin INTERFLEX në Mbretërinë e Bashkuar, së bashku me partnerët e NATO-së. Ata do të luajnë një rol kryesor si instruktorë, duke ndihmuar në trajnimin e Ushtrisë së Ukrainës. Krahas aleatëve tanë , ne mbesim të përkushtuar ndaj paqes dhe sigurisë” – ka shkruar presidentja Osmani, në platformën X.

Më 18 janar në Ministrinë e Mbrojtjes është mbajtur ceremonia e nisjes së kontingjentit të FSK-së, ku morën pjesë udhëheqësit e kësaj Ministrie, zyrtarë të FSK-së e po ashtu kishte mysafirë edhe nga Mbretëria e Bashkuar.

Operacioni “INTERFLEX” do të realizohet në koordinim me Mbretërinë e Bashkuar në mbështetje dhe përgatitje të personelit ushtarak të Ukrainës.

Për ministrin e Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ky është një sukses i radhës i FSK-së dhe një arritje tjetër e Ministrisë së Mbrojtjes.

Ministri Maqedonci në konferencë kishte theksuar se pjesëmarrja e ekipeve të FSK-së në kuadër të operacionit “INTERFLEX” tregon për besimin që Mbretëria e Bashkuar si drejtuese e këtij aktiviteti shumëkombësh, ka në përkushtimin, integritetin dhe përgatitjen profesionale të pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës.