Vjosa Osmani në Bruksel | Foto: Komisioni Evropian

Presidentja Osmani do të udhëtojë në Paris, folëse në Forumin e Paqes

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani nesër dhe pasnesër do të qëndrojë në kryeqytetin e Francës, Paris.

Nga Presidenca e Kosovës për KALLXO.com kanë bërë të ditur që presidentja Osmani do të marrë pjesë në Forumin e Paqes në Paris.

Në ueb-faqen e këtij forumi është bërë e ditur se Osmani do të jetë një nga folëset.

Nga Presidenca nuk kanë dhënë detaje për agjendën e presidentes gjatë këtij qëndrimi në Paris.

Edicioni i 5-të i forumit bashkon qindra folës nga e gjithë bota, duke përfaqësuar një sërë sektorësh – qeveritë lokale dhe kombëtare, organizatat ndërkombëtare, OJQ-të, kompanitë e mëdha, filantropia, akademia, media, etj.

Shkuarjen në Paris, e ka konfirmuar edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Mediat serbe sot raportuan se presidenti serb Vuçiq ka thënë se në dy ditët e ardhshme do të jetë në Paris dhe do të takohet me përfaqësuesin e lartë për politikë të jashtme dhe siguri i Bashkimit Evropian, Josep Borrell dhe me përfaqësuesin e Posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.

Vuçiq thotë se do të takojë Borellin dhe Lajçakun në Paris: Është planifikuar bisedë edhe me Macronin