Vuçiq thotë se do të takojë Borellin dhe Lajçakun në Paris: Është planifikuar bisedë edhe me Macronin

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq gjatë ceremonisë së ndarjes së dekoratave për ish-drejtorin e Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Nenad Gjuriq dhe me ish-shefin e operativës në Policinë e Kosovës për veri, Aleksandar Filipoviq, ka folur edhe për planet që i ka në dy ditët e ardhshme, raporton b92.net.

Siç thuhet në raportimin e medias serbe, Vuçiq ka thënë se në dy ditët e ardhshme do të jetë në Paris dhe do të takohet me përfaqësuesin e lartë për politikë të jashtme dhe siguri i Bashkimit Evropian, Josep Borrell dhe me përfaqësuesin e Posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.

Po ashtu, sipas medias serbe, Vuçiq ka thënë se do të bisedojë edhe me Presidentin e Francës, Emmanuel Macron.

Gjatë ditës së sotme, siç raporton nevosti.rs, presidenti Vuçiq i dhuroi Gjuriq “Urdhrin e Meritës së Klasit të Parë për Mbrojtje dhe Siguri”, i cili u tha se jepet për kryerjen mbi mesataren, shembullore dhe me nder të detyrave në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë.

Ndërsa, Filipoviqit iu dhurua “Medalja e Artë për Guxim ‘Milosh Obiliq’”, e cila u tha se jepet për veprime në të cilat del në pah guximi personal.

Javën e kaluar u suspendua Nenad Gjuriq, nga pozita e drejtorit të Policisë së Kosovës për rajonin e veriut për shkak se refuzoi dhe rezistoi në lëshimin e fletë-qortimeve për pronarët e veturave me targa ilegale të lëshuara nga Serbia.

Suspendimi nga puna i Gjuriq bëri që më 5 nëntor 2022 të mbahej një mbledhje e jashtëzakonshme e thirru nga Lista Serbe, në të cilën u njoftua për largimin e tyre nga institucionet, përfshirë nivelin qendror, lokal edhe atë gjyqësor.

Lidhur me ofrimin e dorëheqjeve të policëve në veri, Policia e Kosovës ka thënë se gradualisht do të rriten kapacitetet.

Të gjitha zhvillimet po ndodhin në kohën kur po flitet për propozimin franko-gjerman për marrëveshjen Kosovë-Serbi.

Vuçiq ndan çmime për Gjuriqin e Filipoviqin