Presidenti Erdogan dëshiron të jetë i sjellshëm me Perëndimin, sipas kushteve të tij

Më pak se tre muaj më parë, presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, e akuzonte Amerikën për komplot për ta rrëzuar qeverinë e tij, duke folur për “marrëdhëniet e tij të veçanta” me Rusinë dhe duke kërcënuar se do ta pengonte Suedinë të anëtarësohej në NATO. Tani, pas një fitoreje të lehtë e të papritshme në zgjedhjet presidenciale të Turqisë në maj, Erdogan po i drejton sytë nga Perëndimi. Erdogan ka premtuar se do të lëkundet nga pozicioni i tij përmes pranimit të Suedisë në NATO, të cilin ai e ka bllokuar për gati një vit, e ka rritur mbështetjen e tij për Ukrainën duke i mbështetur hapur ëndrrat e vetë vendit për anëtarësim në aleancë dhe i ka bërë thirrje Bashkimit Evropian që t’i rifillojnë bisedimet e pranimit me Turqinë. Ai gjithashtu i ka favorizuar investitorët perëndimorë duke hequr dorë nga politika e tij katastrofike për uljen e normave të interesit përballë inflacionit në rritje.

Lëvizjet e fundit tashmë kanë filluar të japin përfitime për Turqinë. Amerika duket e gatshme t’ia shesë avionët e saj luftarakë F-16 me vlerë 20 miliardë dollarë dhe kompletet e përmirësimit, një marrëveshje e mbajtur pezull më parë nga Kongresi. Joe Biden, presidenti amerikan, së shpejti mund ta mirëpresë Erdoganin, të cilin ai e ka shpërfillur vazhdimisht, në Shtëpinë e Bardhë. Ai dhe liderët e tjerë të NATO-s po kërkojnë gjithashtu nga njeriu i fortë turk për ta bindur Vladimir Putinin që ta rihapë Detin e Zi për eksportet e grurit ukrainas; një marrëveshje e negociuar nga Turqia për eksportet e drithrave, e cila është ndërprerë nga Putin që nga 17 korriku. Erdogan mund ta ketë një shans për ta bërë këtë më vonë këtë muaj, kur diktatori rus pritet ta vizitojë Turqinë. Edhe BE-ja ka bërë zhurmë për “riangazhimin” me Turqinë.

Mirëpo hapat e zotit Erdogan, të cilat janë më shumë taktik sesa strategjik, dhe të mbartur kryesisht nga nevoja ekonomike, nuk përbëjnë një rinisje. Diplomatët evropianë e minimizojnë çdo shans për një afrim të vërtetë për sa kohë që Erdogan vazhdon t’i ngacmojë dhe mbyllë kritikët e tij, të lejojë që korrupsioni të lulëzojë dhe t’i nënshtrojë institucionet shtetërore. Udhëheqësi i Turqisë nuk e sheh nevojën për ta trajtuar apo edhe për të pranuar ndonjë nga vështirësitë e mësipërme. “Turqia nuk ka probleme me demokracinë, të drejtat dhe liritë”, deklaroi Erdogan në samitin e fundit të NATO-s në Lituani.

Marrëdhëniet e Turqisë me Amerikën me të vërtetë po përmirësohen, por kjo sepse, ashtu si me BE-në, ato pothuajse e kishin prekur fundin. Zyrtarët turq shqetësohen për mbështetjen e vazhdueshme amerikane për kryengritësit kurdë në Siri, të cilët Turqia i konsideron terroristë. Amerikanët e qortojnë Turqinë se i ka mundësuar Shtetit Islamik ta ngrejë një kalifat në pragun e tij dhe se ka blerë armë nga Rusia. Ndjenjat ndaj Turqisë nuk janë më të mira në Bruksel. Erdogan është përpjekur ta shkëmbejë mbështetjen e tij për Suedinë me përparimin në bisedimet e bllokuara të pranimit të Turqisë në BE. Mirëpo asgjë e tillë nuk do të ndodhë. Më e mira që Turqia mund të shpresojë me Erdoganin në krye, thonë analistët dhe diplomatët evropianë, është një përmirësim në bashkimin e saj doganor ekzistues me BE-në, dhe për një dakordim të tillë mund të duhen vite. Së paku, liderët evropianë duhet ta përfshijnë Turqinë në diskutimet mbi politikën e jashtme, sugjeron Selim Yenel, ish-ambasador turk në BE. Deri më tani, ata kanë refuzuar ta bëjnë këtë. “Ata nuk duan t’i ofrojnë ndonjë dhuratë Erdoganit,” thotë ai. “Por ata do të duhet të jetojnë me të për pesë vitet e ardhshme”.

Kthimi i Turqisë në konservatorizmin ekonomik ka qenë gjithashtu gjysmë i pjekur. Fundi i një periudhe jashtëzakonisht të lirshme të lehtësimit monetar që pa inflacionin të afrohej treshifrori vjeshtën e kaluar ka qenë shumë më pak dramatik se sa pritej. Gjatë dy muajve, banka qendrore, e kryesuar nga Hafize Gaye Erkan, guvernatorja e re, ka rritur normat e interesit me nëntë pikë përqindje kumulative, që është shumë më pak se sa parashikojnë vëzhguesit e tregut. E kombinuar me ngadalësimin e shitjeve të rezervave valutore të bankës, e cila mbështeti lirën turke përpara zgjedhjeve, kjo ka shkaktuar një tjetër shkatërrim të monedhës turke. Monedha turke e ka humbur pothuajse një të katërtën e vlerës së saj në dollarë që nga data e zgjedhjeve, ndërsa inflacioni, i cili ishte ngadalësuar në gjysmën e parë të vitit, është rritur sërish, në 48% muajin e kaluar. Vetë zonja Erkan e sheh atë të rritet në 58% deri në fund të vitit, më shumë se dyfishi i parashikimit të mëparshëm të bankës. Por ndryshimet në rritje janë më mirë se pa ndryshime fare. Investitorët perëndimorë, të cilët kanë qëndruar larg Turqisë për vite të tëra, po futen përsëri, nëse janë të kujdesshëm. Të huajt kanë blerë 1.8 miliardë dollarë aksione turke që nga fillimi i qershorit.

Erdogan gjithashtu e kambajtur një qëndrim më të ashpër ndaj Ukrainës. Ditë përpara samitit të NATO-s të korrikut në Vilnius, ai i tha presidentit të vendit, Volodymyr Zelensky, të cilin e priti në Turqi për herë të parë që nga fillimi i pushtimit të Rusisë, se Ukraina “e meriton anëtarësimin në NATO”. Erdogan gjithashtu i zemëroi rusët e kur lejoi Zelensky të kthehej në shtëpi me pesë komandantë ukrainas të kapur më parë nga trupat ruse në Mariupol dhe të transferuar në Turqi si pjesë e një shkëmbimi të të burgosurve. Erdogan më herët i kishte premtuar Putinit se këta gjeneralë do të qëndronin në Turqi deri në fund të luftës.

Përpara zgjedhjeve, Erdogan nuk mund të përballonte ta antagonizonte Rusinë, e cila i dha një mundësi duke e lejuar Turqinë t’i shtynte borxhet e konsiderueshme të gazit dhe duke siguruar miliarda të tjera për ta financuar ndërtimin e termocentralit të parë bërthamor të Turqisë. Tani, megjithatë, udhëheqësi i Turqisë ndihet më pak i prekshëm ndaj presionit nga Rusia, thotë Emre Ersen, akademik në Universitetin Marmara. Putinit mund të mos i pëlqejë ajo që ka parë nga lideri turk kohët e fundit, thotë Ersen, por ai nuk mund të bëjë shumë për ta shtyrë atë. Turqia është një destinacion kyç për eksportet ruse, turistët dhe oligarkët, si dhe një ndërmjetës i mundshëm në bisedimet me Perëndimin.

Mirëpo kjo nuk do të thotë as largim nga Rusia. Pas dy dekadash në pushtet, Erdogan e ka përsosur artin e transaksionalizmit. Ai e ka kthyer Turqinë në një “shtet të lëkundur në politikën ndërkombëtare”, thotë Soner Cagaptay, nga Instituti i Uashingtonit. Kjo është arsyeja pse çdo bisedë për një kthim në Perëndim është e gabuar. Turqia e Erdoganit nuk e percepton më veten si pjesë e bllokut perëndimor, por si një aktor autonom, në gjendje të bëjë biznes me këdo që dëshiron. “Nëse interesat e saj përputhen me Rusinë, ajo punon me Rusinë”, thotë Cagaptay, “dhe nëse interesat e saj përputhen me SHBA-në, ajo punon me SHBA-në”./The Economist

Përgatiti: Nuhi Shala