Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky dhe presidenti amerikan, Jode Biden, Foto: Facebook

Presidenti Biden vizitë të papritur në Ukrainë

Presidenti amerikan, Joe Biden ka mbërritur në Kiev – vizita e tij e parë në Ukrainë që nga pushtimi i Rusisë pothuajse një vit më parë.

Kjo vizitë e papritur erdhi teksa ai udhëtoi në Poloni për të takuar Presidentin Andrzej Duda.

Presidenti i SHBA-së, Joe Biden në rrjetin Twitter shkroi se teksa po afrohet një vjetori i pushtimit të Ukrainës nga Rusia sot është në Kiev në takim me presidentin Volodymyr Zelensky.

“Teksa i afrohemi përvjetorit të pushtimit brutal të Ukrainës nga Rusia, sot jam në Kiev për t’u takuar me Presidentin Zelenskyy dhe për të riafirmuar angazhimin tonë të palëkundur ndaj demokracisë, sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës”- shtoi Biden.

“Kur Putin filloi pushtimin e tij gati një vit më parë,  mendoi se Ukraina ishte e dobët dhe Perëndimi ishte i ndarë. Ai mendoi se mund të na kalonte. Por ai kishte shumë gabim”- shtoi tutje Biden.

Presidenti amerikan Joe Biden dhe ai i Ukrainës, Volodymyr Zelensky
Foto: Facebook

Biden tutje potencoi se gjatë vitit të kaluar SHBA ndërtoi koalicion kombesh për të ndihmuar Ukrianën dhe kjo mbështetje do vazhdojë.

“Gjatë vitit të kaluar, Shtetet e Bashkuara kanë ndërtuar një koalicion kombesh nga Atlantiku në Paqësor për të ndihmuar në mbrojtjen e Ukrainës me mbështetje të paprecedentë ushtarake, ekonomike dhe humanitare – dhe kjo mbështetje do të vazhdojë”- shtoi tutje ai.

Presidenti ukrainas Zelenskyy minuta më herët ka postuar një fotografi  duke shtrënguar duart me presidentin amerikan.

“Joseph Biden, mirë se vini në Kiev! Vizita juaj është një shenjë jashtëzakonisht e rëndësishme e mbështetjes për të gjithë ukrainasit” – shkroi ai.