Foto: KALLXO.com

Presidenca: Thaçi e ka ditur se Haxhi Shala do ta votojë Qeverinë Hoti

 

Krijimi i Qeverisë Hoti në qershor të këtij viti kishte ngritur dyshime për ndërhyrjen e presidentit Hashim Thaçi në procesin e votimit në Kuvendin e Kosovës.

Deputeti Haxhi Shala kishte deklaruar se ai nuk do ta votonte Avdullah Hotin për kryeministër, në rast se kjo nuk do t’i kërkohej nga presidenti Hashim Thaçi dhe ish kryeministri Ramush Haradinaj.

Për shkak të këtij deklarimi, Lëvizja Vetëvendosje i ishte drejtuar Gjykatës Kushtetuese me pretendimin se Presidenti ka shkelur Kushtetutën e vendit duke ndërhyrë në procesin e zgjedhjes së Qeverisë.

Në komentet që zyra e Presidentit i ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese në lidhje me këtë ankesë, deklarojnë se vizita e Hashim Thaçit në shtëpinë e deputetit Shala në orët e vona “ka qenë një vizitë miqësore”.

Tutje, në komentet e dërguara në Gjykatën Kushtetuese, presidenca e mbron pozicionin e presidentit Thaçi, duke thënë se Presidenti e ka ditur muaj më herët votën e Haxhi Shalës.

“Presidenti e ka pas të njohur vendimin e deputetit Haxha Shala, në përkrahje të Qeverisë së re, nga data 30.04.2020, kur LDK ka dërguar listën e nënshkrimeve në Presidencë, me emrat e deputetëve që do të përkrahin kandidatin e tyre për kryeministër, ku në mesin e deputetëve nënshkrues ishte edhe deputeti Shala”, thuhet në komentet e zyrës së Presidentit, drejtuar Gjykatës Kushtetuese.

“Vizita e Presidentit të Republikës së Kosovës tek një deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës, aq me tepër kur të dytë kanë edhe njohje shumë të hershme nuk paraqet shkelje të asnjë neni të Kushtetutës, e si rrjedhojë as te neneve të Kushtetutës që parashtruesit e kërkesës pretendojnë”, thuhet në mes tjerash në komentet e presidencës.

Madje, tutje shpjegohet se Thaçi në çdo veprim që ka bërë në lidhje me rastin e ka pasur parasysh interesin e qytetarëve.

“Presidenti, si përfaqësues i unitetit të popullit, në çdo veprim ka pasur parasysh interesin e qytetarëve të Republikës së Kosovës”, thuhet në koment.