Foto: MPJD

Presidenca tha se Osmani nuk u konsultua për letrën në KiE, flasin nga kabineti i Gërvallës

Presidenca e Kosovës ka reaguar në lidhje me letrën që Qeveria ia ka dërguar Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës për ta njoftuar rreth hapave për hartimin dhe draft-statutit për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Këshilltari për media i presidentes Vjosa Osmani, Bekim Kupina ka deklaruar se për këtë veprim nuk ka pas “konsultim dhe dakordim” me shefen e shtetit.

Paraprakisht të enjten (16.05.2024) ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla- Schwarz në konferencën për media e pyetur nga gazetarët se a ka pasur dakordim në mes institucioneve për letrën e dërguar në KiE, ajo tha se “koordinimi në institucioneve është si rrallë  herë në një nivel të jashtëzakonshëm”.

“Sa i përket koordinimit të jeni e sigurt mes që koordinimi është si rrallë  herë në një nivel të jashtëzakonshëm të jeni të sigurt që edhe presidentja sic e keni parë ka qenë bashkënënshkruese e zotimeve, sot kjo letër nuk është diçka e re është vetëm një përsëritje “ – tha Gërvalla-Schwars më 16.05.2024.

KALLXO.com ka dërguar pyetje në adresë të MPJD-së pas reagimit të Presidencës se nuk ka pasur dakordim në lidhje me letrën që Qeveria ia ka dërguar Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës.

Në përgjigjen e MPJD thuhet se letra e dërguar në KiE është konkretizim i zotimeve të mëparshme të krerëve të shtetit.

“Ashtu siç deklaroi Ministrja Gërvalla sot në konferencën për media, letra e dërguar sot në Këshillin e Evropës është konkretizim i zotimeve të mëparshme në mesin e të cilave është edhe zotimi i krerëve të shtetit në prill të vitit 2024”- ka deklaruar MPJD për KALLXO.com.

Kryediplomatja kosovare, Donika Gërvalla- Schwarz ka njoftuar sot më 16.05.2024 se  i ka dërguar letër Presidentit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, për siç ka thënë ajo, zotimin për përgatitjen e një drafti që parasheh “krijimin e një mekanizmi për vetmenaxhim”.

Sipas saj, ky draft do të shërbejë për t’i integruar komunitetet joshumicë në të gjitha komunat e vendit.

“Drafti siguron jo vetëm respektimin e plotë të Kushtetutës dhe ligjeve të Republikës së Kosovës, por në të njëjtën kohë pamundëson ndërhyrjet e palejueshme nga jashtë, si në komunat e Kosovës, ashtu edhe në të gjithë vendin” – deklaroi ministrja e Jashtme.

Pas njoftimit të institucioneve të Kosovës se do të përgatisin një draft-statut që parasheh “krijimin e një mekanizmi për vetmenaxhim”, Ambasada e Gjermanisë në Kosovë ka shprehur qëndrimin se drafti i Asociacionit të komunave me shumicë serbe do të duhej të dërgohej në Gjykatën Kushtetuese para mbledhjes së ministrave të Jashtëm të shteteve anëtare të Këshillit të Europës, që do të mbahet më 17.05.2024.

Çështja e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Europës nuk është vendosur në agjendën e mbledhjes së ministrave të Jashtëm të shteteve anëtare të kësaj organizate ndërkombëtare, që do të mbahet më 17.05.2024.