Kurti i shkon në shtëpi Rexhep Qosjes, ia uron ditëlindjen e 88-të
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka vizituar shkrimtarin Rexhep Qosja në shtëpinë e tij me rastin e ditëlindjes së tij të 88-të.
Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Kurti tha se kontributi i Qosjes në letërsinë dhe kulturën shqiptare është i madh, duke e bërë atë një figurë të dashur për Kosovën dhe më gjerë.
“Rexhep Qosja, 88 vjet të plota të jetuara e të shkrira në qenien prej vigani në fjalë e në pendë” – nis urimin e tij për Qosjen, kryeministri Kurti.
“Nga fillimet e tij të hershme në Vuthaj deri te rolet e tij të rëndësishme në edukim dhe letërsi, udhëtimi i tij ka qenë një burim frymëzimi. Si shkrimtari i parë postmodern shqiptar dhe një kritik letrar i shquar, puna e tij ka pasuruar trashëgiminë tonë kulturore” – shkruhet në postimin e kryeministrit.
“Jemi thellësisht mirënjohës për përkushtimin e tij të pandërprerë dhe i urojmë shëndet të mirë dhe jetë të gjatë” – ka shkruar tutje Kurti.