Intervistohen kandidatët për anëtarë të bordit të RTK-së, rekomandohen dy emra për Kuvend

Ilir Bytyqi (263 pikë) dhe Bul Salihu (217) janë dy emrat e kandidatëve për anëtarë të bordit të Radio Televizionit të Kosovës të cilët do të shkojnë në Kuvend për votim.

Këta dy emra u zgjodhën si rezultat i mbledhjes së Komisionit Ad-Hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për anëtar të Bordit të RTK-së, më 25.06.2024, me ç’rast u zhvilluan intervistat me katër kandidatët për këtë pozitë.

Kryetarja e këtij komisioni, Adelina Grainca deklaroi se gjysmë ore para se të fillonte procesi, do takohej me nënkryetarët, Agim Veliu dhe Fidan Zhilta, që të përpilojnë pyetjet. Mirëpo këta të fundit, nuk ishin prezentë. Deputetja Zhilta më pas mori pjesë gjatë intervistimit të kandidatëve.

“Pasi nënkryetarët e këtij komisioni nuk janë prezentë, ne po vazhdojmë me anëtarët e tjerë të komisionit në përpilimin e pyetjeve. Në mbledhjen e fundit jemi dakorduar që kryetarja së bashku me nënkryetarët të mblidhet 30 minuta para procesit të intervistimit të kandidatëve, që t’i përpilojë pyetjet, kështu që po vazhdojmë” – tha Grainca.

Grainca njoftoi se nga 10 pyetje kanë vendosur që t’i zgjedhim pesë prej tyre, dhe se procesi i intervistimit do të zgjasë deri në 20 minuta për secilin kandidat.

Dy kandidatet tjera gra, Besa Maxhuni dhe Fatime Buzolli nuk morën pikët e pamjaftueshme që emrat e tyre të propozohen në seancën parlamentare. Maxhuni u vlerësua me total prej 160 pikësh, kurse Buzolli u vlerësua me 153 pikë.

Sa i përket poentimit të dy kandidatëve, Bytyqi dhe Salihu, si nga pozita por edhe nga opozita ka pasur ngjashmëri të vlerësimit.

Deputeti i PDK-së, Isak Shabani dhe ai i LDK-së, Armend Zemaj i LDK-së, e kanë vlerësuar me 30 pikë Ilir Bytyqin. Njëjtë kanë vepruar edhe deputetët e pozitës. Ndërsa deputetja Fidan Zhilta, Bytyqin e ka vlerësuar me 25 pikë, kurse deputeti Mërgim Lushtaku me 28 pikë.

Në mbledhjen e komisionit munguan deputetët Agim Veliu dhe Time Kadriaj.

Në mars të këtij viti, Kuvendi i Kosovës ka zgjedhur Besnik Boletinin dhe Arta Berishen anëtarë të Bordit të Radio Televizionit të Kosovës (RTK). Boletini mori 54 vota, ndërsa Berisha 51 vota, në seancën e legjislativit të mbajtur më 07.03.2024.

Më pas në mbledhjen e bordit të RTK-së më 19.03., Boletini u rizgjodh kryetar.

Konkursi ka qenë i hapur për tre anëtarë të Bordit të RTK-së nga radhët e komunitetit shqiptar, ndërsa në Kuvend 61 deputetë me shumicë votuan për Arta Berishën dhe Besnik Boletinin.

Besnik Boletini ka qenë kryetar i Bordit të RTK-së, ndërsa Arta Berisha nënkryetare deri në dhjetor të 2023, kur iu përfundoi mandati.

Në garë për tri pozita të lira si anëtar i Bordit të RTK-së nga radhët e komunitetit shqiptar ishin, Albinot Hamiti, Albinot Maloku, Besa Maxhuni, Besnik Boletini, Arta Berisha dhe Dritan Shaipi.