Rama për pronat në Badoc: U vërtetua se nuk ka konflikt interesi mes meje dhe pronarëve

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama përmes një shkrimi në rrjetin Facebook ka njoftuar se Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit ka mbyllur çështjen për konflikt interesi mes tij dhe pronarëve të tokës që ishte këmbyer tek Liqeni i Badocit me parcela tek ‘Prishtina e Re’.

Ishte pikërisht këmbimi i 13 hektarëve me vlerë 8 milionë euro në zonën e mbrojtur ne Badoc me parcela në lagjen ‘Prishtina e Re’ që solli prishjen e koalicionit qeverisës në kryeqytet LDK-PDK në shkurt të këtij viti, pasi i pari i Prishtinës i akuzua se bëri favore për ish-klientë të tij.

“Ju njoftoj se sot kam pranuar vendimin e Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit, me të cilin, ka mbyllur çështjen për konflikt të interesit duke konfirmuar se nuk kishte konflikt interesi në mes meje dhe pronarëve privat tek Liqeni i Badocit. Ky vendim reflekton përkushtimin tonë për transparencë dhe integritet në të gjitha veprimet tona” – ka shkruar Rama në Facebook.

“Gjatë gjithë këtij procesi, kemi bashkëpunuar plotësisht me Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit dhe kemi siguruar të gjitha informacionet e nevojshme për të garantuar një hetim të drejtë dhe të paanshëm” – ka shtuar me tej Rama në njoftim.

Më 08.02.2024 asamblistë të opozitës kishin anuluar vendimin për këmbim të këtyre parcelave, vendim ky i marr në dhjetor 2023.

Derisa, gjykata e Prishtinës përmes një aktvendimi të nxjerrë më 2 shkurt 2024 vendosi për shtyrjen e ekzekutimit të vendimit për këmbimin e pronës komunale në “Prishtina e Re” me pronat në Badoc.

Atë kohë, Përparim Rama bëri thirrje që Prokuroria të zgjeronte hetime edhe në Ministritë e përfshira që fillimisht kishin vlerësuar pronën e aprovuar vendimin komunal.

Procesi i këmbimit të kësaj prone kishte nisur gjatë ish qeverisjes së Shpend Ahmetit, por për shkak se ministria kishte vlerësuar lart pronën në Badoc, pronarët kishin kërkuar nga komuna që të vazhdoj tutje me këmbim.

“Ministria e ka vlerësuar atë tokë 8 milionë euro për 13 hektarë, e ka obliguar Komunën për të bërë ndërrim pasi është e interesit publik, ajo tokë ka pasur kushte ndërtimi. Ne është dashur ose të paguajmë para të gatshme ose këmbim, por nuk ka pasur Komuna para. Edhe kryetari i mëparshëm ka thënë duhet bërë këmbim” – pati thënë Rama në emisionin Kallxo Përnime me 09.02.2024.

“Fillimisht është bërë këmbimi i një pjese, toka e Komunës 6.6 hektarë që fillimisht është ofruar është vlerësuar si 3 milionë, ndërsa 13-hektarëshi është vlerësuar si 8 milionë, pra kanë mbetur 5 milionë për të vazhduar këmbimi. Kjo nuk është në dorë të Përparim Ramës apo Komunës, e vendos Ministria sa tokë duhet të jepet”- patithënë më tej Rama, më 09.02.2024.

“Jam paguar dhe aty ka përfunduar puna ime. Aty është ndërruar tash destinimi, është bërë një moratorium që është ndalu ndërtimi” – thoshte Rama.

Ishte pikërisht ky projekt që nxiti qeverisjen e atëhershme të shpall zonat përreth Badocit zona të mbrojtura, rrjedhimisht duke u rritur vlera e tyre. Meqë pronarët nuk kanë mundur të investojnë në pronën e tyre, kanë kërkuar nga komuna që tu’a këmbejë duke u bazuar në vlerën që bart prona.

 

Përparim Rama jep versionin e tij për këmbimin e pronës në Badovc