Dispozitat 'problematike' të Kodit të Procedurës Penale, vendos Gjykata Kushtetuese

Gjykata Kushtetuese ka njoftuar se ka vendosur lidhur me vlerësimin e kushtetutshmërisë të disa dispozitave të Kodit të Procedurës Penale Nr.08/L-032, që kanë të bëjnë me kërkesën për mbrojtjen e ligjshmërisë në kontekst të paraburgimit, mundësinë e rikthimit në rigjykim nga Gjykata Supreme me rastin e ndërprerjes së masës së paraburgimit për të pandehurin.

Saktësisht, bëhet fjalë për paragrafin 2 të nenit 4 (Ne Bis In Idem), paragrafin 4 të nenit 432 (Arsyet për paraqitje të kërkesës për mbrojtje të ligjshmërisë) dhe paragrafin 2 të nenit 438 (Aktgjykimi mbi kërkesën për mbrojtjen e ligjshmërisë), të këtij Kodi.

Gjykata Supreme i ishte drejtuar Gjykatës Kushtetuese duke i kontestuar këto dispozita me pretendimin se përbëjnë shkelje kushtetuese.

Sipas Supremes, ushtrimi i mjetit të jashtëzakonshëm juridik (Kërkesa për mbrojtjen e ligjshmërisë) nga Prokurori i Shtetit, do të mund të rezultonte në vendimmarrjen e Gjykatës Supreme në dëm të të pandehurit, në kundërshtim me parimin “ne bis in idem”.  *(një ndër parimet themlore të procedurës penale nënkupton se askush nuk mund të ndiqet dhe të dënohet për vepër penale për të cilën është liruar ose për të cilën është dënuar me vendim të formës së prerë të gjykatës).

Supremja në kërkesën e saj për vlerësim të kushtetutshmërisë ka theksuar se kodet e më hershme të procedurës penale, në kontekst të paraburgimit e kishin lejuar kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë vetëm sa i përket caktimit dhe vazhdimit të paraburgimit, por jo edhe sa i përket ndërprejes së paraburgimit.

Këto pretendime të Supremes, sipas njoftimit të Kushtetueses, i ka mbështetuar edhe Avokati i Popullit.

Gjykata Kushtetuese ka vendosur se dispozitat e kontestuara nga Gjykata Supreme nuk përbëjnë shkelje kushtetuese.

Çka rregullojnë dispozitat e kontestuara nga Gjykata Supreme?

Neni 432 që përcakton arsyet për paraqitjen e kërkesës për mbrojtje të ligjshmërisë tek paragrafi 4 parashihet që kërkesa për mbrojtjen e ligjshmërisë mund të paraqitet kundër vendimeve të formës së prerë lidhur me caktimin, vazhdimin ose ndërprerjen e paraburgimit.

“Pavarësisht nga dispozitat e paragrafit 1 të këtij neni, kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë mund të paraqitet, gjatë procedurës e cila nuk ka përfunduar në formë të prerë, vetëm kundër vendimeve të formës së prerë lidhur me caktimin, vazhdimin ose ndërprerjen e paraburgimit”.

Gjykata Kushtetuese ka konstuar se formulimi “ose ndërprerjen” e paraburgimit nuk përbën shkelje të së drejtës kushtetuese “e drejta e lirisë dhe sigurisë” që rregullohet në nenin 29 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

Gjykata, njëzëri, vendosi që të deklarojë kërkesën e pranueshme dhe konstatoi (i) njëzëri, që formulimi “ose ndërprerjen” i paragrafit 4 të nenit 432 (Arsyet për paraqitje të kërkesës për mbrojtje të ligjshmërisë) të Kodit të Procedurës Penale, nuk është në kundërshtim me nenin 29 [E Drejta e Lirisë dhe Sigurisë] të Kushtetutës në ndërlidhje me nenin 5 (E drejta për liri dhe siguri) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut” – thuhet në njoftimin e Gjykatës Kushtetuese të datës 25.06.2024.

Tutje, paragrafi i 2-të i nenit të 4 me të cilën parashihet ‘Ne Bis In Idem’, përcakton se vendimi gjyqësor i formës së prerë mund të ndryshohet me mjete të jashtëzakonshme juridike.

“Me përjashtim të rasteve kur me këtë Kod është paraparë ndryshe, vendimi gjyqësor i formës së prerë mund të ndryshohet me mjete të jashtëzakonshme juridike”.

Për këtë, Gjykata kushtetuese njëzëri ka vendosur se kjo dispozitë nuk është në kundërshtim as me të drejtën kushtetuese të nenit 34 E drejta për të mos u Gjykuar dy herë për të njëjtën vepër e as me Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut me të cilën përcaktohet e drejta për të mos u gjykuar ose dënuar dy herë.

“…paragrafi 2 i nenit 4 (Ne Bis In Idem) të Kodit të Procedurës Penale, nuk është në kundërshtim me nenin 34 [E drejta për të mos u Gjykuar dy herë për të njëjtën Vepër] të Kushtetutës në lidhje me paragrafin 2 të nenit 4 (E drejta për të mos u gjykuar ose dënuar dy herë) të Protokollit nr. 7 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut” – thuhet tutje në njoftimin e Kushtetueses.

Tutje neni 438, gjegjësisht paragrafi 2 i kontestuar ka të bëjë me mundësinë që ka Gjykata Supreme si autoritet kompetent që çështjen ta kthejë në rigjykim në rastet kur kërkesa për mbrojtjen e ligjshmërisë paraqitet në dëm të të pandehurit.

“Kur Gjykata Supreme e Kosovës çmon se kërkesa e paraqitur për mbrojtjen e ligjshmërisë në dëm të të pandehurit është e bazuar, vetëm konstaton shkeljen e ligjit pa ndikuar në vendimin e formës së prerë, përveç nëse vendimi i formës së prerë është qartazi i papërshtatshëm ose i bazuar në gabim të rëndë”.

Gjykata Kushtetuese, për këtë çështje nuk ka vendosur njëzëri.

Me 5 vota për dhe 4 kundër, kjo Gjykatë ka vlerësuar se formulimi “përveç nëse vendimi i formës së prerë është qartazi i papërshtatshëm ose i bazuar në gabim të rëndë” nuk është në kundërshtim as me të drejtën kushetuese për të mos u gjykuar dy herë për të njëjtën vepër dhe as në kundërshtim me Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Njoftimi i Gjykatës Kushtetuese për këtë rast është përgatitur vetëm për çështje informative kurse “teksti i plotë  do t’u dorëzohet palëve të përfshira në rast si dhe do të publikohet në ueb-faqen e Gjykatës dhe në Gazetën Zyrtare, pasi të jenë përfunduar procedurat përkatëse të përcaktuara në Ligjin për Gjykatën Kushtetuese dhe Rregulloren e saj të punës”– thuhet në fund të njoftimit të Kushtetueses.