Osmani pret në takim ambasadorin britanik, flasin për zhvillimet e fundit politike në vend

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur në takim ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves.

Siç është njoftuar nga Zyra e Presidencës, në takim u diskutua për zhvillimet e fundit politike në vend, përgatitjet për Samitin e Komunitetit Politik Evropian si dhe për bashkëpunimin bilateral midis Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar.

“Në Samitin e Komunitetit Politik Evropian, Presidentja Osmani, sikurse në Samitet e kaluara, do ta përfaqësojë Republikën e Kosovës. Në këtë drejtim, Presidentja dhe ambasadori diskutuan për temat që do të trajtohen në këtë Samit, si dhe për kontributin e Kosovës në këto tema. Samiti do të mbahet në Blenheim Palace në Mbretërinë e Bashkuar në korrik” – u tha në komunikatë.

Tutje u shtua se në takim u diskutua po ashtu edhe për bashkëpunimin bilateral në mes të Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar në fusha të ndryshme.

Sipas Zyrës së Presidencës, Osmani shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të partnerëve britanikë në fushën e mbrojtjes dhe tha se si Komandante Supreme e Forcës së Sigurisë së Kosovës, ndihet krenare për arritjet e vazhdueshme të vajzave dhe djemve të FSK-së në akademitë më prestigjioze ushtarake në Mbretërinë e Bashkuar.