Dinarë serbë Foto: Milica Stojanovic | BIRN

Refuzohet kërkesa për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Rregullores së BQK-së

Gjykata Kushtetuese ka vendosur lidhur me kërkesën për vlersueshmërinë e kushtetutshmërisë së Rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës për Operacionet me Para të Gatshme, e cila ndër të tjera parasheh që monedha e vetme e ligjshme për pagesa në Kosovë është euro.

Vlerësimin e kushtetutshmërisë  dhe pezullimin e zbatimit të kësaj Rregulloreje e kishte kërkuar Vasilije Arsiq, por Gjykata Kushtetuese e ka refuzuar kërkesën e tij mbi bazën e faktit se Arsiq nuk i kishte shterur mjetet juridike të cilat parashihen sipas legjislacionit – në këtë rast gjykatat e rregullta.

Sipas Kushtetueses, janë gjykatat e rregullta ato që e kanë kompetencën parësore për të shqyrtuar pretendimet për cenime të drejtave dhe lirive themelore.

“…Përtej detyrimit të individit për të shteruar mjetet juridike në dispozicion, gjithashtu saktëson kufizimet në juridiksionin e Gjykatës Kushtetuese në raport me gjykatat e rregullta, dhe të cilat, bazuar në parimin e subsidiaritetit, kanë kompetencën parësore për të shqyrtuar pretendimet e individëve për cenimin e të drejtave dhe lirive të tyre themelore.” – përshkruhet në njoftimin e Gjykatës Kushtetuese të datës 25.06.2024.

Kjo Gjykatë me rastin e refuzimit të kërkesës në fjalë, ka theksuar se “individi duhet të argumentojë që: nuk ekziston mjeti juridik; ose që ka ndërmarrë të gjitha masat për të shteruar mjetet juridike të përcaktuara me ligj, por që mjeti përkatës juridik nuk është efektiv, në dispozicion dhe/ose i qasshëm”.

Në rastin konkret, kjo Gjykatë ka vlerësuar se parashtruesi i kërkesës ka theksuar se nuk ka mjet juridik në dispozicion për të kontestuar ligjshmërinë dhe kushtetutshmërinë e Rregullores së lartcekur.

Në anën tjetër, Kushtetuesja ka konstatuar se Rregullorja e kontestuar e Bankës Qendrore, i nënshtrohet kontrollit administrativ nga gjykatat e rregullta dhe që këto të fundit, kanë juridiksion të plotë që të vlerësojnë ligjshmërinë e akteve të tilla.”

Pretendimet për kontestimin e kushtetutshmërisë

Arsiq e ka kontestuar kushtetutshmërinë e kësaj Rregulloreje, me pretendimin se e njëjta ka shkelje të drejtave kushtetuese siç janë “Vlerat”, “Valuta”, “Zbatimi i drejtpërdrejtë i Marrëveshjeve dhe Instrumenteve Ndërkombëtare”, “Dinjiteti i Njeriut”, “Barazia para Ligjit”, “E Drejta për Jetën”, “Mbrojtja e Pronës”, “E Drejta e Punës dhe Ushtrimit të Profesionit”, “Mbrojtja Shëndetësore dhe Sociale”, “Parimet e Përgjithshme”, “Përgjegjësitë e Shtetit” dhe “Të Drejtat e Komuniteteve dhe Pjesëtarëve të Tyre”.

Përveç shkeljeve kushtetuese të pretenduara, Arsiq në kërkesën e tij ka theksuar se neni 35 “Valuta euro” është diskriminues në mënyrë indirekte ndaj komunitetit serb në Kosovë.

“…Në thelb, duke theksuar që neni 35 (Valuta euro) i Rregullores së Bankës Qendrore, është në mënyrë të tërthortë diskriminues ndaj komunitetit serb në Republikën e Kosovës, ndër tjerash, “pasi që në radhë të parë prek komunitetin serb në Kosovë […] edhe pse vetë rregullorja nuk përmban shprehimisht dispozita diskriminuese, fakti që zbatimi i saj është diskriminues tregon diskriminim indirekt.”- përshkruhet në njoftimin e Kushtetueses.

Njoftimi i publikuar nga Gjykata Kushtetuese për këtë rast është përgatitur vetëm për çështje informative. Aktgjykimi i plotë do t’u dorëzohet palëve të përfshira në rast, si dhe do të publikohet në ueb-faqen e Gjykatës dhe në Gazetën Zyrtare, pasi të jenë përfunduar procedurat përkatëse .

Guvernatori i BQK-së, Ahmet Ismaili në emisionin “Kallxo Përnime” kishte thënë se motivet kryesore për vendimin që lidhet me ndalimin e dinarit serb si mjet pagese në Kosovë është lufta kundër pastrimit të parasë, kundër terrorizmit dhe forcimi i integritetit të sistemit financiar

Guvernatori kishte thënë se kjo Rregullore nuk e ndalon transferimin e parave nga asnjë shtet por se ato duhet të jenë në euro.

“Kjo Rregullore e ka rregullu ‘cash’-in dhe kush ka të drejtë të importojë. Rregullorja nuk e ndalon transferin e mjeteve. Nëse institucionet e Serbisë dëshirojnë me transferu mjete në Kosovë janë të lejuara në një llogari bankare pa kufizim. Çdo qytetar i Kosovës, duke përfshirë serbët, mundet me pranu para në euro nga Serbia dhe e gjithë bota. Ata kanë llogari bankare sepse pranojnë pensione dhe ndihma nga Kosova. Në të njëjtën llogari mund të marrin edhe ndihmat nga Serbia” – kishte thënë guvernatori i BQK-së.

Guvernatori kishte shpjeguar se qytetarët mund të mbajnë ‘cash’ si kursime apo edhe për nevoja të tjera të tyre, por ato nuk mund të përdoren si mjet pagese.

Kjo Rregullore e cila ka hyrë në fuqi më 1 shkurt të këtij viti, kishte ngjallur reagime të shumta nga niveli vendor – institucional e deri tek ai ndërkombëtar.

Banka Qendrore e Kosovës kishte lëshuar në funksion linjën telefonike pa pagesë – 0800 222-55, me qëllim të ofrimit të informatave plotësuese pas miratimit të rregullores për operacionet me para të gatshme

Kjo linjë është e dedikuar për qytetarët nga komuniteti serb që jetojnë në Republikën e Kosovës dhe kanë nevojë të informohen drejt dhe konkretisht, kishte bërë të ditur BQK-ja.

BQK-ja kishte ritheksuar se rregullorja nuk ndalon transferet nga asnjë shtet; nuk ndalon apo kufizon pranimin e mjeteve në llogaritë bankare në Euro në bankat e licencuara si dhe nuk ndalon posedimin dhe kursimin ne asnjë valute jo-Euro (përfshirë Dinarin).