Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Presidenca deklarohet për takimet me partitë politike dhe datën e zgjedhjeve

Zyra e ushtrueses së detyrës së presidentes Vjosa Osmani ka dalë me një deklaratë lidhur me takimet e saj me katër subjekte politike.

Konsultimet kanë ndodhur për të caktuar datën e zgjedheve të reja, pasi Gjykata Kushtetuese e shpalli të pavlefshme Qeverinë e Kosovës të kryesuar nga Avdullah Hoti.

“Pas njoftimit të djeshëm të Gjykatës Kushtetuese lidhur me vendimin e saj nr. KO 95/20, u.d. Presidentja e Kosovës, dr. Vjosa Osmani ka mbajtur takime me Lëvizjen Vetëvendosje, Lidhjen Demokratike të Kosovës, Partinë Demokratike të Kosovës dhe Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës”, thuhet në komunikatë.

Sipas Presidencës, në takime është diskutuar për mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme dhe është thënë se data e mbajtjes së tyre do të mund të caktohet tek pasi që palët ta pranojnë aktgjykimin e plotë të Gjykatës Kushtetuese.

Kurse, presidentja Vjosa Osmani do t`i vijojë takimet me përfaqësuesit e subjekteve të tjera politike.

“Në orën 11:00, u.d. Presidentja do të takojë përfaqësues të koalicionit Nisma-AKR, në orën 12:00 ata të Grupit 6+, ndërkaq në orën 13:00 do ta përmbyllë ciklin e takimeve me përfaqësuesit e Listës Serbe”, thuhet në njoftim.