Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Premtohet zgjidhje për pritjet e gjata në qendrën e vaksinimit në Prizren

Një nga qendrat e vaksinimit që po përballet ditëve të fundit me fluks qytetarësh të interesuar të vaksinohen për t’u mbrojtur nga coronavirusi është ajo në Prizren.

KALLXO.com gjatë ditës ka pranuar ankesa nga qytetarë se në qendrën e vaksinimit nuk ka rend dhe se po ka pritje të gjata.

Për këtë çështje KALLXO.com ka kontaktuar Xhengiz Sojtarin, koordinator në qendrën e vaksinimit në Prizren.

Sipas tij, arsyeja se pse ka tollovi para qendrës është se kanë mungesë të ekipeve mjekësore.

Ai tha për KALLXO.com se tani për tani në qendër janë duke punuar tetë ekipe si dhe një ekip tjetër nga Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare në të dyja ndërrimet.

I njëjti premtoi se numri i ekipeve mjekësore do të rritet.

“Ne po mendojmë që nga java tjetër të punojmë me nga 12 -13 ekipe, gjithsej 25 ose 26 ekipe në tërësi”, tha Sojtari për KALLXO.com.

Ai shtoi se kanë bërë kërkesë në Ministrinë e Shëndetësisë përmes drejtorisë së QKMF – së që të rritet numri i mjekëve.

“Ministria janë në kërkim e sipër të specializantëve të rinj që t’i rrisim kapacitetet”, vazhdoi tutje Sojtari.

Kjo qendër është duke funksionuar tani për tani me 17 mjekë, të cilët brenda ditës po i vaksinojnë rreth 1,900 qytetarë, ani pse sipas Sojtarit kërkesa për vaksinim është më e madhe e që pastaj po krijohet tollovi.

“Këtu tek ne vijnë edhe qytetarë që nuk kanë fare terminë. Me ndihmën e policëve që i kemi aty po mundohemi me e mbajt rendin”, tha ai.

Një arsye tjetër se përse po bëhet grumbulli i qytetarëve është edhe çështja e temperaturave të larta.

“Qytetarët vijnë të gjithë në të njëjtën kohë, ka nga ata që e kanë terminin në orën dy të drekës për shembull, por vijnë në orën tetë të mëngjesit për shkak se është më freskët, është temperatura më e lehtë”, ka theksuar Sojtari.

Fluksi i madh i qytetarëve ka bërë shpeshherë që personeli menaxhues të kërkojë më shumë ekipe policore për mbajtjen e rendit.

Një gjë e tillë ndodhi dje, kur u kërkua nga dy policët që ishin aty që të ftojnë kolegët e tyre për ndihmë.

“E pamë që qytetarët po dalin jashtë kontrollit, ne kërkuam nga ata (policët) që t’i thërrasin kolegët tyre për shkak se duhet të mbahet një rend”, përfundoi Sojtari.

Ndërkohë, KALLXO.com mbrëmë raportoi për arrestimin e një qytetari që po priste të vaksinohej.

Qytetari ishte arrestuar në momentin kur po protestonte për shkak se policët dëshironin të mbyllnin derën e qendrës së vaksinimit.

Këto janë pamjet nga ky incident: