Prebreza: Fatkeqësi që një vizion nacional për energjinë të mbetet peng i disa komunave

Visar Prebreza nga BIRN ka thënë se planet apo vizionet për energji janë shumë të rëndësishme për shtetin.

Ai në “Debat Plus”, ku po diskutohet për energjinë solare, tha se Plani Zhvillimor Komunal hartohet nga komunat, disa nga të cilat, sipas tij, nuk kanë kapacitete njerëzore për një strategji të energjisë solare në Kosovë.

“Fatkeqësi që një vizion nacional që është energjia me mbet peng i një vizioni të një komune. Sepse Plani Zhvillimor Komunal hartohet nga komunat, çfarë kapacitete njerëzore kanë Istogu e komunat e vogla. Është fatkeqësi qysh mundemi me mbetë peng të një komune që ndoshta s’ka pasur kapacitet e as vizion 10-vjeçar se çfarë do të bëjë me energji solare” – tha ai.

Tutje, ai tha se nëse Qeveria e Kosovës e krijon një strategji të energjisë, ajo strategji duhet të ndiqet edhe nga ministritë e po ashtu edhe nga komunat.

“Nëse themi që shteti e bën një strategji të energjisë, ajo strategji edhe rregullat edhe ministritë e tjera edhe MMPHI, edhe komunat, duhet ta ndjekin këtë vizion. Nëse qeveria e bën vizionin, komunat e Istogut, Junikut, Mamushës që nuk kanë as eksperta të kësaj fushe e mbajnë peng sepse nuk u ka shkuar në mendje me ba planin zhvillimor komunal, është fatkeqësi e madhe që mundet me i pengu investimet”, tha ai./ RTV Dukagjini