Rregulla e re për prodhim të energjisë diellore

Limiti maksimal për investim në panele solare për biznese aktualisht është deri në 100 kilovatë. Por limiti pritet së shpejti të rritet nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE).

Rritja e limitit është në diskutim publik dhe pritjet janë që të arrijë në 200 KW për konsumatorët e rregulluar. Ymer Fejzullahu, kryesues i Bordit të ZRRE, në emisionin #KallxoPernime ka prezantuar rregullën për konsumatorët prodhues (Prosumator) me burime të ripërtërishme të energjisë.

“Një prej rregullave që ka qenë në planin e punës tonë për ndryshim ka qenë edhe kjo. Në kuadër të saj hyjnë edhe konsumatorët vetëprodhues. Ne gjatë vitit të kaluar kemi draftuar një rregull të veçantë siç është rregulla për konsumatorët vetëprodhues, një prej çështjeve që është ngritur ka qenë edhe pragu prej 100 KW, tash me rregullin e ri ky prag do të bëhet 200 KW” – ka thënë Fejzullahu.

Ai ka shtuar që rregullorja ende është në diskutim dhe ende pranojnë komente për të, përderisa ka thënë se janë duke provuar që këtë rregullore ta aprovojnë muajin mars 2023.

Ndryshe ato biznese që s’janë të rregulluara nuk kanë limit, por limiti caktohet në bazë të mesatares së konsumit vjetor që kanë bizneset.

Në Kosovë janë tre konsumatorë të parregulluar “Trepça”, “Ferronikeli” dhe “SharrCem”, që furnizohen me rrymë me çmime të tregut.

 

Investitorët kërkojnë nga ZRRE t’i lejojë të prodhojnë energji aq sa kanë kapacitet

Në emisionin #KallxoPernime, investitorët privatë që merren me energji diellore kanë kërkuar që të lejohen të prodhojnë energji aq sa kanë kapacitet. Lulzim Syla nga kompania ‘Elen’ ka thënë se rritja e limitit në 200 KW nga 100 KW sa ishte, është e mirëseardhur por, sipas tij, nuk mjafton.

“Mendojmë që energjia që prodhohet nga sistemet solare nuk e ngarkon rrjetin por e relakson atë, pasi prodhon për nevoja të veta dhe një sasi të vogël e qet në rrjet me çka mund të furnizojë edhe komunitetin përreth” – ka thënë Syla.

Ndërsa Bujar Guci nga ‘Unisolar’ ka thënë se bazuar në praktikat e vendeve të rajonit, ai ka pritur që ky limit të jetë deri në 500 Kw.

Ai ka shtuar se edhe USAID-i e ka bërë një draft me anë të të cilit i ka renditur shtetet e rajonit të cilat limitin e kanë mbi 500 Kw si dhe shtetet evropianë që s’kanë fare limit.

“E mira është që e kanë futur 200 KW, por propozimi im si kompani ka qenë që ZRRE- ja t’i dëgjojë të gjitha këto që po i japim si këshilla që pragu te grupet tarifore të jetë pragu, minimumi 200 Kw” – ka thënë Guci.

Guci ka folur edhe për subvencionimin e energjisë elektrike nga Qeveria e vendit muajt e fundit, duke thënë se nëse do të lejoheshin që të instalonin më shumë panele solare, do të rigjeneronin më shumë energji dhe kështu sipas tij nuk do të kërkonin energji nga rrjeti elektrik.

“Kjo e ulë kërkesën e konsumit, momentin që ne e rrisim prej 100KW në 200KW, atëherë ne kemi mundësi për realizimin e kapaciteteve më të mëdha që me e ulë kërkesën e konsumit”- ka thënë më tej Guci.

Ndërsa Sabri Tërnava nga KEDS-i ka thënë se nuk e kanë kundërshtuar këtë propozim të bizneseve që të rritet limiti.

“Ne i kemi shqyrtu këto kërkesa brenda KEDS-it dhe i kemi dërguar komentet e tona dhe në ato vlera nuk kemi paraqitur ndonjë pengesë. Ne si kompani jemi për atë që t`i jepet secilit kapacitet aq sa është profili i tij i konsumit. Secili e ka profilin e vet të konsumit, një pishinë punon verës, por jo dimrit, është shumë e mirëseardhur solarja, dmth profili i konsumatorit ndryshon”- ka thënë Tërnava.

Ai ka shtuar që propozimi i tyre është të jepet në bazë të profilit të konsumatorit.

“Ti prodhon edhe e konsumon, pra nuk del prej kuptimit të vet konsumit. Ti po e gjeneron për me vetkonsumu andaj edhe profili i konsumit duhet t`i përshtatet profilit të gjenerimit”- ka shtuar më tej Tërnava.

Ndryshe para një viti, me propozimin e Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës janë miratuar dy vendime të cilat i hapin rrugën projektit për ngrohjen diellore “Solar Kosova” i cili do të financohet nga Gjermania.

Vendimi i parë i marrë nga ministrat e kabinetit qeveritar ka qenë për ndarjen e lokacionit në Shkabaj të Komunës së Obiliqit për investimet në sektorin e energjisë solare, të cilat do të realizohen në bashkëpunim me Republikën Federale të Gjermanisë.

Ndërsa me vendimin e dytë ka qenë për dhënien në shfrytëzim të katër pronave të paluajtshme për Ndërmarrjen Publike “Termokos” nga Prishtina për realizimin e projektit për ngrohjen diellore “Solar Kosova”.

 

Komunat me kërkesa të ndryshme rreth lejeve për objektet që vendosin panelet solare

Rregullorja e re e ZRRE-së lidhur me ndryshimet për energjinë solare nuk po ua ‘mbush syrin’ investitorëve privat që merren me energji diellore. Adnan Reka nga kompania ‘Jv group’ ka thënë se ende nuk është bërë zgjidhja në procesin e aplikimit të lejes ndërtimore në komunë për objektin ku do të vendosen panelet solare.

“Për shkak se kërkesa apo kushti që ZRRE e kërkon nuk është e definuar mirë sipas tyre në momentin që shkon në komunë për këtë pëlqim apo leje, fillon beteja, prej një zyre në zyrën tjetër, prej një kati në kafin tjetër, prej një jave apo një muaji në muajin tjetër. Më e keqja që secila komunë i ka kërkesat e veçanta” – ka thënë Reka.

Ai ka shtuar se sipas komunave, kushti që ka ZRRE-ja nuk është i definuar mirë.

“Në momentin që shkon në komunë dikush e quan leje dikush pëlqim. Çka është më e keqja, njëra komunë kërkon leje ambienti, tjetra kërkon raport të statikës e një tjetër komunë kërkon të gjitha dokumentet që i dorëzohen edhe KEDS-it, paraprakisht me i pa me i vulos masanej me shku te KEDS-i. Dmth hyn në një kompetencë që mund të jetë mbi diapazonin dhe fushën e tij të ekspertizës”- ka shtuar më tej Reka.

Reka thotë që kanë shpresuar se këtë rregullore do ta definoj njëherë e mirë ZRRE-ja por nuk është bërë një gjë e tillë.

Bujar Guci nga ‘Unisolar’, ka thënë se nuk e fajëson ZRRE-në për këtë gjë, por shton që secila drejtori e urbanizmit në komunat përkatëse, i ka ‘qefet e veta’ për këtë pëlqim komunal.

“Komuna në Gjakovë kërkon pëlqim mjedisor, vërtetim tatim në pronë, leje ndërtimore, në komunën e Prishtinës ja çojmë elaboratin me vulë e nënshkrim, por thotë që me ja bo edhe një elaborat tjetër të dijmë që fryma nuk i merr panelet dhe nuk i gjuan prej kulmi në kulmin tjetër, ta shtyn edhe nja dy muaj”- ka thënë Guci.

Lulzim Syla nga kompania ‘Elen’, ka thënë se kjo mund të zgjidhet shumë lehtë përmes kodit të ndërtimit.

“Kodi i ndërtimit e parasheh ose nxjerr udhëzim administrativ ku e unifikon dokumentin që duhet të kërkohet, kjo është e domosdoshme sepse janë mbi 300 mijë objekte pa leje, përkundër dëshirës që të instalojnë panele solare nuk u lejohet pasi që janë pa leje, paradoksi është që të lejon të lidhesh në kanalizim, rrymë e ujësjellës por instalim të sistemit solar nuk të lejon”- ka shtuar Syla.

Adnan Reka nga kompania ‘Jv group’, ka thënë se vetë ZRRE-ja kërkon nga komunat që t`u kërkohet investitorëve ky pëlqim komunal, andaj sipas tij ky institucion duhet të heq këtë kërkesë.

“ZRRE-ja duhet ta heq këtë kërkesë, duke e bërë këtë më nuk do të ketë problem, madje edhe komunat do të liroheshin nga kjo barrë”- ka thënë Reka.

Por nga ZRRE-ja kanë thënë se kanë bërë përpjekje që kjo gjë të ndryshohet.

“Kemi organizuar ‘work shop’ me komunat edhe trajnim sa i përket dokumenteve që duhet të lëshohen, e kemi bërë edhe një format për të gjitha komunat. Ne kemi kërkuar nga ministria që për një konsumator të vogël të eliminohet kjo kërkesë, pra dhënia e pëlqimit apo lejes” – ka thënë Zejnullahu.

Ai ka shtuar se nuk mund të hiqet krejt ky pëlqim pasi që është në ligjin primar.

 

Përplasje për përgjegjësitë e KEDS-it dhe KESCO-s

Përplasje për përgjegjësitë e KEDS-it dhe KESCO-së, në emisionin #KallxoPernime, ka pasur mes investitorit Bujar Guci dhe Sabri Tërnavës, nga ky institucion.

Tërnava që është përfaqësues i KEDS-it, ka thënë se duhet bëhet dallimi mes këtyre dy institucioneve.

“T‘lutem tjera herë mos e përmend fjalën KEDS kur ke të bësh me shkëmbim faturimi, sepse kjo ka të bëj me KESCO-në, nuk ke dijeni”, ka thënë Tërnava.

“Unë e di që është një, KESCO është franceze, pronarët i kanë njëjtë”, ka thënë Guci në anën tjetër.

 

KEDS-i kërkon nga bizneset posedimin e Scade-s pa qenë ende në rregulloren e ZRRE-së

Scada është sistem për monitorimin e prodhimit të energjisë solare nga distanca.

“Ajo që rrezikon me i bo investimet edhe me joatraktive është nëse na shtohet edhe një komponentë e tillë (scada), ku për 50kw, kostoja mund të sillet nga 5 mijë deri në 10 mijë euro, e që e bën të papërballueshme një kosto të tillë”, ka thënë Lulzim Syla nga ‘Elen’

Ndërsa Bujar Guci nga ‘Unisolar’, ka thënë që KEDS-i po ua kërkon këto scada ani pse ende nuk është pjesë e rregullores së ZRRE-së.

“KEDS-i është t`u i lyp scada-t, po na kërkon me shku te noteri me nënshkru akt noterial”- ka thënë Guci.

Ndërsa Nga KEDS-i kanë deklaruar që çdo gjenerator që fut mbi 50kw energji duhet të monitorohet vazhdimisht.

“Nëse ZRRE vendos që vendos që ne po bëjmë shkelje pse po kërkojmë kushte teknike që çdo operatori t`i përcaktoj kushte të kyçjes besoj që atëherë ne jemi në rregull, për KEDS-in kjo është e lejueshme. Nuk ka dokument që e ndalon apo e lejon këtë”- ka thënë Sabri Tërnava nga KEDS.

E nga ZRRE-ja, kanë thënë që kjo ende nuk është aprovuar nga ky institucion.

“KEDS nuk ka të drejt që të kërkoj diçka nëse ende nuk është vendimi në fuqi. Këto propozime janë në diskutim e sipër dhe do t`i analizojmë edhe këto kërkesa”- Zejnullahu.

 

Të gjitha kërkesat për investim solar duhet të shkojnë në ZRRE

Për çdo kilovat energji që instalohet në territorin e Kosovës, duhet që kërkesa të bëhet në ZRRE.

Ymer Fejzullahu, kryesues i Bordit të ZRRE-së, në #KallxoPernime ka thënë se edhe këtë ka propozuar që të ndryshohet me rregulloren e re.

“Edhe rregullin për autorizim kur e kemi rishikuar vitin e kaluar kam kërkuar që kjo të hiqet”- ka thënë Zejnullahu.

Ndryshe në fillim të muajit mars, Kuvendi i Kosovës ka miratuar strategjinë për energji 2022-2031.

Qeveria e Kosovës përmes kësaj strategjie synon një sektor energjetik të qëndrueshëm, që garanton siguri të furnizimit me rrymë dhe integrim në tregun Pan-Evropian.

Strategjia e Energjisë 2022-2031 parasheh që deri në vitin 2030 të renovohen dy njësitë e Termocentralit, “Kosova B” dhe së paku një njësi të Termocentralit, “Kosova A”, kjo për të rritur kapacitet e prodhimit prej së paku 540 MË për ngarkesë bazë dhe 360 MË kapacitet rezervë.

Më 9 mars është nënshkruar marrëveshja për financimin e projektit “Solar 4 Kosovo”.

Kjo marrëveshje është nënshkruar mes kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, kryeshefit Ekzekutiv të NP “Termokos”, Fisnik Osmanit dhe drejtorit për bashkëpunim të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZh), Sergiy Maslichenko.

Bazuar në këtë marrëveshje BERZh do të financojë me një kredi prej 23.2 milionë euro projektin “Solar 4 Kosovo”.