Komunat me kërkesa të ndryshme rreth lejeve për objektet që vendosin panelet solare

Rregullorja e re e ZRRE-së lidhur me ndryshimet për energjinë solare nuk po ua ‘mbush syrin’ investitorëve privat[ që merren me energji diellore.

Adnan Reka nga kompania ‘Jv group’ në emisionin “Kallxo Përnime” ka thënë se ende nuk është bërë zgjidhja në procesin e aplikimit të lejes ndërtimore në komunë për objektin ku do të vendosen panelet solare.

“Për shkak se kërkesa apo kushti që ZRRE e kërkon nuk është e definuar mirë sipas tyre në momentin që shkon në komunë për këtë pëlqim apo leje, fillon beteja, prej një zyre në zyrën tjetër, prej një kati në kafin tjetër, prej një jave apo një muaji në muajin tjetër. Më e keqja që secila komunë i ka kërkesat e veçanta” – ka thënë Reka.

Por nga ZRRE-ja kanë thënë se kanë bërë përpjekje që kjo gjë të ndryshohet.

“Kemi organizuar ‘work shop’ me komunat edhe trajnim sa i përket dokumenteve që duhet të lëshohen, e kemi bërë edhe një format për të gjitha komunat. Ne kemi kërkuar nga ministria që për një konsumator të vogël të eliminohet kjo kërkesë, pra dhënia e pëlqimit apo lejes” – ka thënë Zejnullahu.

Ai ka shtuar se nuk mund të hiqet krejt ky pëlqim pasi që është në ligj.