Policia për arrestimin e aktivistëve të PSD-së: Shfaqën shenja të agresivitetit

Tetë aktivistë të Partisë Socialdemokrate (PSD) janë arrestuar sot gjatë aksionit të tyre për të kundërshtuar marrëveshjen për ofrimin e tiketës ngjitëse, me qëllim të konfirmimit të kontrollimit teknik të automjeteve.

Rastin për KALLXO.com e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës.

Sipas zëdhënësit të Policisë për rajonin e Prishtinës, Agron Borovci, aktivistët kanë shfaqur shenja të agresivitetit dhe veprime të ulëta të kontaktit fizik me pjesëtarë të policisë.

“Sot rreth orës 12:00 në rrugën “Ukshin Hoti” në Prishtinë, një grumbull personash kanë zhvilluar një aktivitet të paparalajmëruar. Si pasojë e veprimeve të tyre me shkruarjen e grafiteve, janë dëmtuar disa vetura. Të njëjtit  vazhdimisht  kanë shfaqur shenja të agresivitetit, veprimeve të ulëta të kontaktit fizik me pjesëtarë të policisë,  shpërfilljes së urdhrave të zyrtarëve policor si dhe pengim të tyre në kryerjen e detyrës zyrtare. Duke u gjendur në rrethana të tilla, policia ka shoqëruar në stacionin policor tetë prej tyre dhe aktualisht të njëjtit janë duke u proceduar në fazën preliminare”, ka njoftuar zyrtari policor.

Po ashtu është njoftuar edhe prokurori i shtetit i cili bashkërisht me policinë po koordinon veprimet vijuese që konsistojnë në zbardhjen e të gjitha rrethanave që karakterizojnë ngjarjen, përpara masave të mëtejme në procedurë.