Arrestohen tetë aktivistë të PSD-së (FOTO)

Aktivistët e Partisë Socialdemokrate (PSD) janë arrestuar sot gjatë aksionit të tyre për të kundërshtuar marrëveshjen për ofrimin e tiketës ngjitëse me qëllim të konfirmimit të kontrollimit teknik të automjeteve.

PSD përmes rrjetit social “Facebook” ka kërkuar urgjentisht që aktivistet e aktivistët Dardan Molliqaj, Teutë Rrusta, Nol Nushi, Zgjim Hyseni, Qëndrim Sahiti, Frashër Krasniqi, Ali Krasniqi dhe Korab Korça të lirohen menjëherë.

“Gjatë aksionit të sotëm për të shfaqur zhvatjen që pushteti i Kurtit po e bën ndaj qytetarëve, duke taksuar shtesë regjistrimin e makinës e duke krijuar monopol për një kompani, policia ndërhyri dhunshëm për ta ndërprerë aksionin duke arrestuar e lënduar brutalisht aktiviste e aktivistë të PSD-së. Policia, nën urdhrat e Kurtit, me përdorim brutal të dhunës po dëshiron të shtyp këdo që kundërshton atë. Zhvatja ndaj qytetarëve nuk guxon të kaloj heshtur e nën kërcënimin e dhunshëm e brutal të pushtetit”, thuhet në postimin e tyre.

KALLXO.com është duke pritur përgjigje nga Policia e rajonit të Prishtinës për këtë rast.

Ky subjekt ka publikuar edhe disa fotografi nga arrestimi i aktivistëve të tyre.