Dafina Gexha: Masat e ndalimit të grumbullimit të qytetarëve do të vazhdohen

U.D e ministres së Shëndetësisë, Dafina Gexha, duke folur për masat anti-COVID, ka thënë se do të vazhdohet me ndalimin e grumbullimit të qytetarëve. Ajo tha se tash për tash, zgjidhja e vetme për “një jetë të lirë” është vaksinimi.

“Më shumë se gjysma e Kosovës është prapë në fushatë zgjedhore dhe do të vazhdojnë masat e njëjta për grumbullimet. Do të jenë me numër të kufizuar. Sa më shumë që vaksinohemi aq më të lirë do të jemi”, tha ajo.

Ministria u bëri thirrje qytetarëve që të vaksinohen kundër coronavirusit.

“Tashmë kemi mbi 60% të popullatës së vaksinuar me dozën e parë, të popullatës mbi 16 vjeç ndërsa me dy doza i kemi mbi 50% dhe jemi në rrugë të mbarë për të arritur synimet tona”, tha ajo.

Për këtë qëllim, sot Qeveria e Kosovës ka mbajtur takim me Asociacionin e Komunave të Kosovës  në lidhje me masat e reja për parandalim të përhapjes së infeksionit SARS-CoV-2.

Porse në këtë takim, kanë munguar pjesa dërmuese e kryetarëve të Komunave të Kosovës. Sazan Ibrahimi, drejtor i AKK, thotë për KALLXO.com se takim ishin vetëm dy përfaqësues të komunave, ai nga Mamush dhe Suhareka.

Ai ka një kritikë për Qeverinë, por nuk flet shumë për mungesën e kryetarëve në takimin e thirrur nga Qeveria.

“Vetëm në Kosovë është obligim bartja e maskës kur qytetarët janë vetëm duke ecur dhe kufizimi i lëvizjes”, thotë ai.

“Në asnjë shtet të Evropës Juglindore, në bazë të informatave që i kemi, nuk bartet maska. Vetëm Kosova është me orë policore dhe me obligim të bartjes së maskës në ambiente të jashtme”, thotë ai.

Ndryshe numri i rasteve i të infektuarve në Kosovë është ulur në krahasim me muajt e kaluar, por edhe në krahasim me shtetet e rajonit. Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se brenda 24 orëve në nivel vendi janë shënuar 18 raste të reja me SARS-CoV-2 ndërsa nuk është shënuar asnjë rast i vdekjeve.

Deri më tani në Kosovë  160 mijë e 606 qytetarë kanë qenë të infektuar me COVID-19, prej tyre 2 mijë e 974 kanë vdekur, 157 mijë e 151 janë shëruar dhe pjesa tjetër e tyre janë ende në betejë me virusin.