Bashkim Ramosaj në Deçan nuk respekton masat anti-COVID

Pika ‘F’ e masave anti-COVID, të vendosura nga Ministria e Shëndetësisë në bashkëpunim me Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike ndalon grumbullimin e më tepër se 20 personave në një ambient të mbyllur.

Një gjë e tillë nuk është duke u respektuar nga kryetari aktuali i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj, në fushatën e tij për zgjedhjet komunale të 17 tetorit.

“Sonte, kisha kënaqësinë që në takime të ndara të takoja dhe të ju drejtohesha qytetarëve të respektuar të Irzniqit dhe Dubravës, të cilët si gjithmonë kanë dëshmuar mbështetjen e pakompromis ndaj Aleancës dhe numrit fitues 121”, ka shkruar Ramosaj në facebook.

Në fotografitë e postuara nga Ramosaj shihen më tepër se 20 persona në njërën nga shkollat në Deçan, në anën tjetër çdo ditë kemi raportime për raste të infeksionit me COVID-19 në nivel vendi.

Ramosaj së bashku me dhjetëra qytetarë, të cilët shihen në fotografitë e postuara nga vet ai, nuk kanë vendosur maska, kështu duke thyer edhe rregullin për vendosje të maskës, njëra ndër masat kryesore për parandalim të infeksionit COVID-19.

Në anë tjetër në Kosovë dje kanë vdekur dy persona ndërsa 14 qytetarë të tjerë janë infektuar nga COVID-19.

Aktualisht në nivel vendi janë 1 mijë e 95 qytetarë aktiv me SARS-CoV-2.