Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Komuna e Gjilanit do t’ua mundësojë testet pa pagesë secilit zyrtar që ka zgjedhur të mos vaksinohet

Komuna e Gjilanit ka vendosur sot gjatë ditës që t’i “paraprijë” vendimit të Qeverisë për të mos lejuar të dalin në punë shërbyesit civil pa qenë të vaksinuar ose me teste të PCR e Rapid test se janë negativ në COVID-19.

Qeveria e Kosovës kishte marrë vendim javën e kaluar që prej datës 13 shtator shërbyesit civil që nuk janë vaksinuar të mos lejohen të hyjnë në vendet e tyre të punës pa pasur një test PCR apo Rapid test se janë negativ në COVID-19.

Mirëpo, Gjilani ka vendosur që këtë vendim të qeverisë ta shpejtoj për 1 javë.

Sot Gjilani ka marrë vendim që nga nesër të mos i lejoj shërbyesit civilë të dalin në punë nëse nuk janë të vaksinuar ose nuk sjellin dëshmi përmes testit PCR apo Rapid se janë negativë.

Pas vendimit të Komiteti i Gjilanit për menaxhim dhe parandalim të përhapjes me COVID-19, i cili thotë se që nga nesër punëtorët e shtetit nuk do të mund të hyjnë në vendet e punës pa konfirmim të vaksinimit, test PCR apo test rapid, KALLXO.com ka kontaktuar me kryetarin e kësaj komune Lutfi Haziri.

Haziri për KALLXO.com ka thënë se ky vendim i komitetit është ne përputhje të plotë me vendimet e Qeverisë, porse është më dinamik.

“Vendimi i Komitetit te emergjencave civile kundër COVID-19 është në përputhje të plotë me vendimet e Qeverisë, vetëm me dinamike më të shtuar”, ka thënë Haziri për KALLXO.com.

“Meqenëse shumica e zyrtarëve publikë, duke përfshirë punëtorët shëndetësorë, e kanë pasur mundësinë që me prioritet të vaksinohen, ne me qëllim që këto masa të jenë më efikase në parandalimin e përhapjes së virusit Covid-19, kemi marrë vendim që nga nesër të fillojë implementimi i tyre”, ka thënë Haziri për KALLXO.com.

Haziri ka treguar se të gjithë ata zyrtarë publike që kanë zgjedhur të mos vaksinohen, do t’u mundësohet nga komuna e Gjilanit që t’i bëjnë testet pa pagesë.

“Zyrtarët publikë dhe shërbyesit civilë të cilët nuk janë të vaksinuar, testet PCR dhe testet Rapide mund t’i bëjnë pa pagesë çdo ditë pune në QRSHP dhe QKMF”, thuhet në përgjigjen e Hazirit.

KALLXO.com ka kontaktuar edhe me anëtarë tjerë të këtij Komiteti siç është Drejtori i Shëndetësisë në Komunën e Gjilanit, Selami Xhemjali.

Xhemajli ka thënë se komuna e Gjilanit ka dashur t’i paraprijë vendimit të Qeverisë me qëllim të parandalimit të virusit dhe sesibilimin e qytetarëve për t’u vaksionuar.

“Vendimi i Qeverisë është me 13 shtator, kur është pritë edhe punëtorët e arsimit të nisin punën. Mirëpo ne kemi dashur t’i paraprijmë, me qëllim të parandalimit të përhapjes së virusit dhe të senzibilizimit të qytetarëve të cilët nuk posedojnë certifikatën e vaksinimit apo njërin nga testet PCR ose rapid”, ka shpjeguar Xhemajli.

Xhemajli ka thënë se të gjithë punëtorët e institucioneve publike kanë pasur mundësi të vaksinohen.

“Nuk ka gjë të keqe këtu. Të gjithë punëtorët e institucioneve publike e kanë pasë mundësinë për t’u vaksinuar. Çdo masë që mendojmë që është parandaluese mund të aplikohet”, ka deklaruar Drejtori i Shëndetëisë së Gjilanit.

KALLXO.com ka kontaktuar me Qeverinë në lidhje me këtë vendim, por që nga të njejtit nuk kanë marrë përgjigje zyrtare deri më tani.

Vendimi i Qeverisë me 28 gusht 2021