Operacion policor antidrogë, Policia e Kosovës gjen lëndë të dyshuar narkotike të llojit ‘heroinë’. Konfiskohen edhe 2 mijë e 500 euro dhe dy telefonë Foto: Denis Sllovinja/ KALLXO.com 07.04.2024

Policia kap drogë me vlerë rreth 250 mijë euro në një veturë me targa kroate në Merdarë - VIDEO

Një shtetas kosovar dhe kroat është kapur dhe arrestuar nga Policia e Kosovës më 07.04.2024 në pikën kufitare me Serbinë në Merdar. Tek i dyshuari Policia ka gjetur 20 paketime me peshë mbi 10 kilogramë që dyshohet se janë të llojit heroinë, me vlerë rreth 25o mijë euro.

Në lidhje me këtë aksion të Policisë ka dhënë detaje drejtor i Antidrogës, major Reshat Murseli në një konferencë për media.

Murseli tha se Policia e Kosovës Njësia e Antidrogës pas trajtimit të infomratave nga burimet në terren, e mbështetur nga Policia kufitare në Merdare, njësitë K9 dhe njësitë tjera ligjzbatuese siç është Dogana e Kosovës, kanë zhvilluar një plan taktik të koduar “Pika 2”, duke zhvilluar kontrolle me selektimin e disa automjeteve.

“Në mesin e këtyre automjeteve gjatë kontrollës, tek një automjet me targa kroate, e drejtuar nga personi tashmë i dyshuar A.L i vitit të lindjes 1959 shtetas shqiptar dhe kroat i cili ishte në dalje të territorit të Kosovës, hetuesit kanë hasur në indikacione të dyshuara dhe kanë ndërmarrë kontroll të detajuar duke u mbështetur nga njësitet e flotës policore dhe kanë arritur që në bagazh, të kamufluar në gomën rezervë të automjetit, të gjejnë 20 paketime të substancës së dyshuar narkotike të llojin heroinë”- ka deklaruar Murseli.

Ai tha se në vijim të kontrollit, në veturën e të dyshuarit, në cilësi të provave materiale gjithashtu janë gjetur para në vlerë prej 2 mijë e 500 euro dhe një telefon celular.

“Ndërsa në derën e bagazhit gjatë kontrollit në vazhdim, në pjesë të brendshme në cilësi të provës materiale gjithashtu janë gjetur para në vlerë prej 2,500 euro dhe një telefon celular. Njësitet e Forenzikës kanë bërë ekzaminimin dhe procesimin e provave të gjetura dhe kanë konstatuar se 20 paketime janë me peshë 10 kilogramë e 60 gramë substancë e dyshuar e llojit heroinë, që tashmë janë të konfiskuar. Në cilësi të provave janë konfiskuar paratë, dy telefonat celular dhe është sekuestruar vetura”- tha Murseli.

“I dyshuari është arrestuar në vendin e ngjarjes dhe me urdhër të prokurorit është duke u intervistuar dhe pritet ndalimi i tij për 48 orë”- shtoi ai.

Sipas drejtorit të Antidogës, vlera e kësaj substance sillet rreth 22 deri në 25 mijë euro për kilogramë në tregun vendor dhe se destinacioni i këtyre ishte drejt vendeve të Bashkimit Europian.

“Vlera e kësaj substance narkotike sillet rreth 22 deri në 25 mijë euro për kilogramë në tregun vendor të Kosovës e që do të llogaritej deri në 250 mijë euro në vlerë totale. Sipas hetimeve destinacioni i këtyre narkotikëve në rastin konkret është i destinuar për në vendet e BE-së”- është shprehur Murseli.

Më tej, Murseli tha se, njësia e antidrogës do të vazhdojë me hetim të rastit dhe zgjerim të hetimit dhe në bashkëpunim me Prokurorinë për hetime të mëtejme në nivel ndërkombëtar.