Policia ka arrestuar 4 të dyshuar për lidhje me grupin e armatosur

Policia e Kosovës ka konfirmuar vrasjen e tre personave të grupit të armatosur në Banjskë të Zveçanit.

Organet e rendit kanë njoftuar se një pjesëtar tjetër i grupit të armatosur është arrestuar.

Policia ka arrestuar edhe katër persona të tjerë të dyshuar në Rudar për posedim ilegal të radiolidhjeve të cilët dyshohet se ndërlidhen me grupet kriminale.

“Sipas informatave zyrtare nga terreni gjatë shkëmbimit të zjarrit konfirmohet vrasja edhe e dy sulmuesve të tjerë, të cilët kanë qenë të maskuar, të uniformuar dhe të armatosur rëndë, e po ashtu konfirmohet edhe arrestimi i një sulmuesi të uniformuar dhe të armatosur”- thuhet në njoftimin e Policisë.

Si pasojë e sulmeve një zyrtar policor i PK-së ka pësuar lëndime kryesisht të lehta.

Policia gjatë kontrolleve ka gjetur pajisje logjistike, mjete të dyshuara ushtarake, uniforma ushtarake si arme dhe municion të kalibrave të ndryshëm.

“Policia e Kosovës vazhdon t’iu bëjë thirrje grupeve kriminale që të dorëzohen para organeve të drejtësisë dhe njëkohësisht fton qytetarët që të bashkëpunojnë me organet e rendit, në interes të qetësimit të situatës dhe sigurisë së përgjithshme”- thuhet në njoftim.

Një pjesëtar i Policisë së Kosovës u vra dhe dy të tjerë u plagosën, pas një sulmi terrorist në Banjskë të Zveçanit, rreth orës 3 të mëngjesit të së dielës.

Policia e Kosovës ka rrethuar të dyshuarit, rreth 30 persona – pjesëtarë të grupit të armatosur që gjenden në manastirin e Banjskës, derisa sulmet ndaj njësiteve policore po vazhdojnë.

Organet e rendit konfirmuan se është vrarë edhe një pjesëtar i grupit të armatosur.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se sulmi u krye nga banda kriminale e terroriste të Serbisë.
Prokuroria Speciale e Kosovës deklaroi se rasti po trajtohet si sulm ndaj rendit kushtetues, ku hynë edhe terrorizmi.

Zhvillimet pas vrasjes së policit të Kosovës në veri të vendit