Policia jep detaje për transportimin e 9 policëve nga veriu në jug nga KFOR-i

Nëntë pjesëtarë të Policisë së Kosovës janë tërhequr nga Jarinja për shkak të problemeve shëndetësore që kanë.

Baki Kelani, zëdhënës i Policisë së Kosovës, ka konfirmuar se transportin e policëve e ka kryer KFOR-i.

“Bashkëpunim dhe kontakte të vazhdueshme PK-ja mban edhe me KFOR-in, i cili sot për shkaqe shëndetësore ka përkrahur transportimin e 9 zyrtarëve policorë nga veriu në jug”- ka thënë Kelani.

Burime të KALLXO.com kanë bërë të ditur se policët të cilët janë larguar kanë probleme akute shëndetësore, si sëmundje të zemrës.

Sot është dita e 11-të që nga vendosja e barrikadave në rrugët në veri të Kosovës.

Situata në veri të Kosovës është e tensionuar që nga 10 dhjetori.

Atë ditë, grupe qytetarësh serbë janë mbledhur në qytetet në veri të vendit për të protestuar kundër arrestimit të Dejan Pantiqit, ish-polic i Kosovës, i akuzuar nga autoritetet e Kosovës për organizim të sulmeve kundër zyrtarëve të KQZ-së dhe të Policisë së Kosovës.

Grupet e serbëve, pjesë e të cilëve janë edhe persona me maska e madje edhe me armë, kanë bllokuar rrugët kryesore drejt pikave kufitare Jarinjë dhe Bërnjak.

Dita e 11-të e barrikadave në veri