Barrikadat në fshatin Rudar të Zveçanit. Foto: Adelina Ahmeti, KALLXO.com.

Dita e 11-të e barrikadave në veri

Sot është dita e 11-të që nga vendosja e barrikadave në rrugët e komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës që kanë bllokuar.

Janë gjithsej nëntë barrikada të vendosura në këto katër komuna që përpos cenimit të lëvizjes së lirë të qytetarëve kanë bërë që të mbyllen edhe dy pikat e kalimit kufitar që lidhin Kosovën me Serbinë, atë në Jarinjë dhe në Bernjak.

Gjithçka filloi më 10 dhjetor 2022 kur u dha njoftimi zyrtar nga ana e Policisë së Kosovës për arrestimin e ish-policit serb, Dejan Pantiq, i cili dyshohet për sulm në zyrat e Komisionit Komunal Zgjedhor në Mitrovicën e Veriut.

Ndaj tij është caktuar masa e paraburgimit prej 30-ditësh nga Gjykata Themelore në Prishtinë për kryerje të veprës penale terroriste dhe kundër rendit kushtetues.

Edhe përkundër kërkesave të shumta të institucioneve vendore e edhe të ndërkombëtarëve, barrikadat tash e 11 ditë nuk janë larguar.

Përpos bllokimit të rrugëve të veriut të Kosovës, në këto barrikada shpesh herë janë parë edhe qytetarë që janë mbledhur në shenjë rezistence ndaj arrestimit të Pantiq.

Qytetarë të mbledhur me flamuj e thirrje nacionaliste në duar e disa nga ta edhe me maska në fytyrë, u panë duke protestuar të dielën, më 18 dhjetor, në pikën kufitare Jarinje në anën e Serbisë.

Protesta e thirrur në ‘mbështetje të serbëve të Kosovës’ kishte filluar në orën 13:00 dhe kishte përfunduar pas më pak se tri orëve.

Protestuesit, që nuk dukeshin më shumë se 100 persona, gjatë protestës, në një moment ia mësynë edhe kufirit për të hyrë në Kosovë, mirëpo të njëjtit u ndalën nga kordoni i Njësisë Speciale të Policisë serbe.

Gjatë protestës së tyre njëri nga ta edhe u arrestua, madje në pamjet që u shfaqën drejtpërdrejtë nga protesta u dëgjua edhe shpërthimi i një mjeti shpërthyes.

Në po këtë pikë kufitare në anën e Kosovës, misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë – KFOR, kishte krijuar një kordon me blinda dhe tela të gjembuar. KALLXO.com mësoi se në Jarinje ishin vendosur trupat amerikane të KFOR-it, ndërsa në Bërnjak ishin vendosur polakët dhe letenozët.

Pas përfundimit të protestës, KFOR kishte treguar se kanë pasur informacione për grupe kriminale brenda protestuesve në Jarinje.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se KFOR-i ka kërkuar kohë për largimin e barrikadave.

Tensionet në veri filluan të shtohen në nëntor kur Qeveria paralajmëroi fillimin e periudhës për shqiptimin e gjobave ndaj pronarëve të veturave me targa ilegale. Më 5 nëntor 2022, në një mbledhje të thirrur nga Lista Serbe, në të cilën morën pjesë zyrtarë të lartë shtetëror nga komuniteti serb, u njoftua për largimin e tyre nga institucionet, përfshirë nivelin qendror, lokal e gjyqësor.

Më 6 dhjetor zyret e Komisionit Komunal Zgjedhor janë sulmuar me shok-bomba dhe me një granatë dore që sipas Policisë ishte e prodhuar në ish-Jugosllavi.

Më 8 dhjetor 2022, rreth orës 23:00, një veturë e Policisë së Kosovës derisa po patrullonte në fshatin Serbovc të Komunës së Zveçanit është sulmuar dhe nga ky sulm ka mbetur i plagosur një zyrtar policor.

Një ditë më vonë, më 9 dhjetor, në orët e hershme të mëngjesit, persona të maskuar kanë sulmuar ekipin e KALLXO.com, i cili gjendej në Lagjen e Boshnjakëve për të raportuar në lidhje me zhvillimet atje.

Më 15 dhjetor, Serbia i është drejtuar KFOR-it me kërkesën për dislokimin e deri 1.000 trupave ushtarake dhe policore serbe në Kosovë.

Zyrtarët serbë kanë argumentuar se nuk presin që kjo kërkesë t’iu miratohet.Beogradi po ashtu ka thënë se kërkesa është bërë në bazë të Rezolutës 1244. Nga KFOR-i e kanë konfirmuar më 16 dhjetor se kanë pranuar kërkesën e Serbisë, të cilën kanë thënë se “po e shqyrtojmë”.

Derisa më 19 dhjetor, një ekip e një televizioni është fyer dhe është sulmuar me gurë nga persona të dyshuar në barrikadat e vendosura në Zubin Potok.