Sulmohet ekipi i gazetarëve të RTV Dukagjini

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ka bërë të ditur se një ekip i RTV Dukagjinit janë sulmuar fizikisht sot derisa po raportonin në lagjen Pejton të Prishtinës për deklarimin e të hyrave në ATK.

Sipas AGK-së ekipi ishte përbërë nga gazetari Liridon Llozani dhe kameramani Diamant Maxharraj.

“Njëri prej pronarëve të një lokali në vendin ku ekipi po xhironte fillimisht ka provuar të ndalojë filmimin, e më pas edhe e ka goditur kameramanin, Maxharraj”, thuhet në njoftim.

Sipas këtij njoftimi gazetarët e kanë lajmëruar menjëherë Policinë, e cila e ka arrestuar këtë person.

Ata gjithashtu e kanë dhënë deklaratën në stacionin e policisë për incidentin.

AGK-ja ka dënuar këtë sulm fizik, që sipas tyre shton edhe më shumë pasigurinë e gazetarëve në punën e tyre të përditshme.