Ilustrim

Policia jep detaje për aksidentin tragjik në rrugën Ferizaj - Shtime

Katër persona kanë mbetur të vdekur dhe dy të tjerë janë lënduar nga një aksident tragjik që ka ndodhur mbrëmë në hyrje të Shtimes.

Sipas Policisë, aksidenti ka ndodhur në mes të tri veturave me targa vendore.

Dyshohet se deri te aksidenti ka ardhur kur drejtuesi i njërës nga veturat ka humbur kontrollin.

“Deri te aksidenti dyshohet se ka ardhur kur drejtuesi i njërës nga veturat për arsye deri më tani të pa njohura, humb kontrollin mbi veturë dhe godet dy veturat tjera të cilat ishin duke lëvizur në drejtim të kundërt”- thuhet në raportin e Policisë.

Sipas Policisë, aksidenti tragjik në rrugën Ferizaj – Shtime ka ndodhur rreth orës 19:15.

Vdekja e viktimave është konstatuar nga ekipi mjekësor në vendin e ngjarjes, ndërsa tre të lënduar tjerë janë dërguar në emergjencën e Ferizajt, ku më pas ka ndërruar jetë edhe viktima e katërt, ka njoftuar PK.

Dy personat tjerë të lënduar janë burrë dhe grua, të cilët janë transferuar mbrëmë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).

Nga QKUK kanë thënë se gruaja e lënduar është në gjendje të rëndë shëndetësore, ndërsa burime brenda Qendrës kanë konfirmuar që ajo është shtatzënë.

QKUK jep detaje për të lënduarit nga aksidenti tragjik, gjendja e gruas është e rëndë

“Një grua e datëlindjes 1996, është në gjendje të rëndë, ekipet mjekësore emergjente po bëjnë maksimumin, kurse personi tjetër që po merr trajtim ka lëndime më të lehta”- kanë thënë nga QKUK për KALLXO.com

Prokurori Besnik Nuredini, i cili ndodhet ka dalë në vendin e ngjarjes, mbrëmë ka dhënë detaje në lidhje me rastin.

Ai ka thënë se katër viktimat janë të gjinisë mashkullore dhe dyshohet se të katërt kanë qenë në veturën e njëjtë.

Kryeparlamentari, Glauk Konjufca sot në seancën e Kuvendit të Kosovës, ka shprehur ngushëllime familjarëve të viktimave të këtij aksidenti.

“Mbrëmë u tronditëm nga humbja e jetës e katër të rinjve në aksidentin tragjik që ndodhi. Në emër të Kuvendit dhe të gjithë deputetëve u shprehim ngushëllimet më të sinqerta familjarëve. Qoftë ky rast i fundit për Kosovën” – tha ai.