Dera e djegur e objektit kishtar “Shën Pantelija”. Foto: Policia e Kosovës

Policia identifikon tre dyshuar të mitur për dëmtim të derës së një kishe në Prizren

Policia e Kosovës ka identifikuar tre të dyshuar të moshës së mitur për dëmtim të derës së një kishe në Prizren më 17 prill.

Rasti i dëmtimit të derës së kishës ortodokse ‘Shën Pantelija’ në rrugën ‘Haxhi Krasniqi’ ishte raportuar më 17 prill 2023 në ora 23:09 minuta, kur një qytetar kishte vërejtur një zjarr në afërsi të derës së një kishe. Ai kishte arritur ta fikte zjarrin pa u shkaktuar dëme të mëdha.

“I njëjti ka njoftuar policin se në rrugën Haxhi Krasniqi në Prizren, saktësisht tek objekti kishtar “Shën Pantelija” – kishë ortodokse, të dyshuar të pa njohur kanë tentuar ta djegin derën e hyrjes së këtij objekti”- thuhet në njoftimin e Policisë.

Më 19 prill, pas analizimit të gjitha provave të mundshme Policia ka arritur që të identifikojë dhe sigurojë tre të dyshuarit të mitur (dy 15-vjeçarë dhe një 13 vjeçar) të cilët dyshohen se kanë qenë të përfshirë në këtë rast.

Sipas Policisë, të dyshuarit janë intervistuar në prezencë të punëtorit social dhe avokatëve mbrojtës dhe ata e kanë pranuar veprën.

Në konsultim me prokuroren kujdestare tre të dyshuarit janë liruar në procedurë të rregullt.

Digjet dera e një kishe në Prizren, Policia thotë se në vendngjarje kundërmonte era e benzinës