Policia e Kosovës: Situata e sigurisë në veri është e qetë, por delikate

Policia e Kosovës konsideron se situata e sigurisë në veri të vendit është e qetë, por delikate.

Këtë deklaratë e ka dhënë për gazetarët, zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës së Veriut, Veton Eleshani pas bastisjeve të sotme në veri, në lidhje me sulmin terrorsit të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit.

“Policia konsideron se situata e sigurisë në veri të vendit është e qetë, por delikate, do të thotë është e brishtë, duke marrë parasysh zhvillimet politike që janë duke u bërë dhe sidomos rastin e Banjskës”- tha ai.

Elshani tha se policia ëhstë aty që të ofrojë shërbime ndaj qytetarëve.

“Prioritet e kemi atë”- shtoi ai.

“Përpos rastit të Banjskës, ne kemi raste të tjera të cilat ndodhin në veri që nuk janë të karakterit sikur të Banjskës edhe shpresojmë mos të ketë ngjarje të tilla. Mirëpo, në kemi për shembull brenga të qytetarëve, të cilat kanë të bëjnë më shumë p.sh. me konvertimin e targave nga KM, GL, PR, në RKS apo konvertimin e patentë shoferëve”, ka deklaruar Elshani. 

Sipas Elshanit, për shkak të natyrës delikate të këtyre hetimeve, ato nuk mund të përfundojnë për një kohë të shpejtë. 

“Unë konsideroj që një rast i tillë siç e kemi pa në Banjskë me 24 shtator nuk ka qenë i përsëritshëm më herët, nuk kemi pa më herët. Vendi i ngjarjes është shumë i madh, shumë i gjanë, ka shumë të dyshimtë, kështu që nuk pritet që kjo të kryhet shpejt” ka theksuar Elshani.

Ekipe të shumta të Policisë së Kosovës dhe hetues të ndryshëm që nga mëngjesi i sotëm kanë kryer hetime në veri të vendit, të cilat ndërlidhen me sulmin e datës 24 shtator në Banjskë.

Ekipi i KALLXO.com ka raportuar nga vendi  i ngjarjes dhe ka parë që përveç ekipeve të policisë janë ndodhej EULEX-i. 

Këto aksione të Policisë kanë filluar tek tre rrokaqiejtë në Mitrovicë të Veriut dhe kanë vazhduar në Komunën e Zveçanit, saktësisht në “Luginën e Diellit”, ku është bastisur banesa e njërit nga pjesëtarët e grupit terrorist, Vladimir Toliq.

Toliq kishte mbetur i plagosur gjatë sulmit në Banjskë dhe më pas ishte arrestuar.

KALLXO.com ka qenë në këtë lokacion dhe ka përcjellë nga afër zhvillimet. Ekipet e policisë duke përfshirë këtu njësitë si forenzika, pjesëtarë të skuadrës së bombave u panë gjatë kësaj bastisje. 

Ajo çka ekipi arriti të vërejë në hapësirat jashtë banesës është se një faturë e internetit dhe në derë ngjitur është edhe mbiemri i familjes Toliq. 

Më 24 tetor 2023, u bë e ditur se Dushan Maksimoviqit, Vladimir Toliqit dhe Blagoje Spasojeviqit, të dyshuar për sulmin terrorist në Banjskë i është vazhduar masa e paraburgimit edhe për dy muaj të tjerë.

Që të tre gjenden në masën e paraburgimit që nga 26 shtatori i këtij viti.

Edhe para disa ditëve, më 17 tetor të këtij viti Policia kreu bastisje në 13 lokacione në tri komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës. 

Mitrovica e Veriut, Zveçani e Leposaviqi ishin qytetet tek të cilat policët kryen basitsje që po ashtu lidheshin me sulmin që ndodhi më 24 shtator.