Banesa e Vladimir Toliq. Foto: Adelina Ahmeti/KALLXO.com

Bastiset banesa e Vladimir Toliqit, njërit prej të arrestuarve në sulmin e Banjskës

Për gati një orë policia ishte pozicionuar në “Luginën e Diellit” në Komunën e Zveçanit, në banesën e njërit nga pjesëtarët e grupit terrorist, i cili kishte mbetur i plagosur gjatë sulmit në Banjskë dhe më pas ishte arrestuar.

Që nga arrestimi i tyre, Toliqi bashkë me dy të tjerë gjenden në paraburgim. Ai fillimisht ishte trajtuar në QKUK, pas plagëve që kishte marrë gjatë sulmit.

Ekipet e policisë nuk gjetën asnjë person brenda hapësirave të banesës së Toliqit. Ata pritën derisa erdhi pronarja e banesës për ta hapur atë në mënyrë që mos të intervenohet me forcë. 

KALLXO.com ka qenë në këtë lokacion dhe ka përcjellë nga afër zhvillimet. Ekipet e policisë duke përfshirë këtu njësitë si forenzika, pjesëtarë të skuadrës së bombave u panë gjatë kësaj bastisje. 

Gjatë gjithë kohës EULEX-i ka monitoruar bastisjet. 

KALLXO.com tentoi që të bisedojë edhe me dy gra që erdhën për të hapur derën e banesës por të njëjtat nuk pranuan të flasin duke thënë se nuk duan të prononcohen për media. 

Ajo çka ekipi arriti të vërejë në hapësirat jashtë banesës është se një faturë e internetit dhe në derë ngjitur është edhe mbiemri i familjes Toliq. 

Banesa e Vladimir Toliq. Foto: Adelina Ahmeti/KALLXO.com

Në dosjen e prokurorisë thuhet se Vladimir Toliq dhe Blogoje Spasojeviq me një grup personash ende të paidentifikuar në mënyrë të organizuar dhe të armatosur me armë të llojeve të ndryshme ushtarake, të rënda, me dashje, pasi që kanë hyrë ilegalisht në Kosovë, me dhjetëra vetura dhe të mbushura me armatim, fillimisht kanë bllokuar rrugën me dy kamioneta me qëllim të vënies në pritë të zyrtarëve të Policisë së Kosovës, e pastaj i kanë sulmuar me granatë dhe armë të ndryshme. Si pasojë, thotë Prokuroria Speciale, ka mbetur i vrarë rreshteri policor Afrim Bunjaku, si dhe është plagosur zyrtari tjetër policor Alban Rushiti.

Më 24 tetor 2023, u bë e ditur se Dushan Maksimoviqit, Vladimir Toliqit dhe Blagoje Spasojeviqit, të dyshuar për sulmin terrorist në Banjskë i është vazhduar masa e paraburgimit edhe për dy muaj të tjerë.

Që të tre gjenden në masën e paraburgimit që nga 26 shtatori i këtij viti.