Policia deklarohet për forcat e shtuara para KQZ-së

Të shumtë janë zyrtarët policor të cilët po qëndrojnë para objektit ku ndodhet edhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

Ekipi i KALLXO.com i cili po qëndron atje ka raportuar se përreth gjithë objektit ka pjesëtarë të Policisë

Zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Prishtinës, Agron Borovci për KALLXO.com tha se policia po kryen punën e saj duke iu përshtatur edhe ngjarjeve që ndodhin.

“Punë përditore e policisë, angazhime policore të përshtatura sipas zhvillimeve, ngjarjeve dhe aktualiteteve”, tha Borovci.

Në orën 17:30 pritet që anëtarët e Komisionit Qendror Zgjedhor të vendosin ose jo për certifikimin e të gjithë kandidatëve për zgjedhjet e 14 shkurtit.

Ylli Buleshkaj, drejtor i zyrës për certifikim të partive politike në mbledhjen e sotme të KQZ-së ka rekomanduar që të certifikohen të gjithë kandidatët.

Ai tha që për shkak të konfuzitetit me pikën q të certifikohen të gjithë kandidatët.

“Kemi kërkuar shkresa nga institucionet e ndryshme për të na ndihmuar në vendimmarrje, disa na kanë ndihmu disa na kanë konfuzu, ajo çka vlen të theksohet është që zyra nuk ka arrit me zbatu plotësisht në bazë të shkronjës q të nenit 29 për shkak të interpretimeve të ndryshme, ne rekomandojnë certifikimin, pastaj palët mund ti drejtohen institucioneve për ankesa”, shtoi ai.

Mirëpo për votimin e këtij rekomandimi nuk ishin të gatshëm përfaqësuesit e LDK-së, PDK-së, AAK-së si dhe vet kryesuesja e KQZ-së Valdete Daka.

Ata kërkuan t’i ofrohen korrespodencat e zyrës për certifikimin me disa institucione nga të cilat kanë kërkuar interpretim.