Policia arreston dy persona, dyshohen për tregti të ndaluar me cigare

Policia e Kosovës ka arrestuar dy persona në fshatin Bistricë, nën dyshimin se kanë kryer veprën penale “tregti e ndaluar” me duhan.

Sipas një komunikate për media, njësitë policore nga Policia Kufitare, gjatë kryerjes së detyrave të patrullimit, me qëllim të parandalimit dhe identifikimit të rasteve kriminale kanë ndaluar një automjet të dyshuar me targa vendore, në të cilin ndodheshin të dyshuarit dhe kishin të ngarkuara në mjet rreth 6,850 boksa të cigareve.

“Më datën 06.12.2023 rreth orës 21:10 njësitë kompetente policore në rrugën magjistrale Mitrovicë – Jarinje, konkretisht në fshatin Bistricë, kanë ndaluar automjetin e lartcekur, në të cilin ishin të ngarkuara rreth 6,850 boksa të cigareve të 11 llojeve të ndryshme në vlerë rreth 113,000 euro (njëqind e trembëdhjetë mijë euro)”- thuhet në njoftim.

Policia thotë se lidhur me rastin janë njoftuar Hetimet Rajonale, ku janë intervistuar palët e përfshira në rast, dy personat e dyshuar, të cilët dyshohet se kanë pasur për qëllim shitjen e mallit në mënyrë ambulantive në pika të ndryshme të shitjeve në Leposaviq dhe Leshak.

Sipas Policisë, malli pas verifikimit ka rezultuar se është me banderola të Republikës së Kosovës.

Pas konsultimit me prokurorinë e shtetit rasti është cilësuar si ‘tregti e ndaluar’ dhe malli i është dorëzuar Doganës së Kosovës për procedura të mëtutjeshëme.