Policët kufitar serbë në Leposaviq ofrojnë dorëheqjet e tyre

Edhe zyrtarët policorë të Stacionit Policor kufitar në Leposaviq kanë ofruar letër-dorëheqjet e tyre nga postet që kanë pasur.

KALLXO.com mëson se të njëjtit kanë dorëzuar letër-dorëheqje, ndërsa pajisjet dhe uniformat ende nuk janë dorëzuar nga të njëjtit.

Në një mbledhje në Mitrovicë të Veriut, më 5 nëntor 2022, të ftuar nga Lista Serbe, në cilën morën pjesë zyrtarë të lartë shtetëror nga komuniteti serb, u njoftua largimi i tyre nga institucionet, përfshirë nivelin qendror ekzekutiv, lokal e nga gjyqësori.

Ndërkaq, Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq në një takim të përfaqësuesve politikë dhe institucional të serbëve të mbajtur sot në Zveçan, njoftoi për bojkotimin e institucioneve të Kosovës duke treguar edhe vendimet që ishin marrë në këtë mbledhje.

Gjatë ditës së djeshme zyrtarë të Policisë së Republikës së Kosovës nga komuniteti serb i kanë zhveshur uniformat.

Ndërkaq, sot kryetarët e katër komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës kanë dhënë dorëheqje nga postet e tyre.

Dorëheqja e tyre është bërë gjate ditës së sotme pak orë para se të nis tubimi i paralajmëruar i Listës Serbe me qytetarët në veri të vendit.

Dorëheqja e kryetarëve të komunave është hapi i radhës qe ndërmorën zyrtarët serb të cilët kishin poste në institucionet e Kosovës.

E gjitha kjo pasi Inspektorati Policor i Kosovës ka rekomanduar para tri ditëve suspendimin nga puna të drejtorit të Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Nenad Gjuriq.

Nenad Gjuriq u suspendua me 3nëntor nga detyra e tij nga ushtruesi i detyrës së drejtorit të përgjithshëm të Policisë me rekomandim të IPK-së,

“Më datë 3 nëntor 2022, u.d. drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës me rekomandim të IPK-së ka suspenduar nga ushtrimi i detyrave të përgjithshme të punës dhe autorizimeve policore drejtorin rajonal të Mitrovicës Veri, për mosrealizim të autorizimeve ligjore dhe zbatim të vendimeve zyrtare” – thuhet në njoftimin e Policisë.

Që nga 1 nëntori, autoritetet në Kosovë kanë thënë se qytetarëve që kanë automjete me targa ilegale (KM), do të marrin fletëqortime. Kjo është faza e parë e planit prej tri etapash, që Qeveria e Kosovës ka thënë se do të zbatojë nga 1 nëntori deri më 21 prill të vitit 2023, sa i përket riregjistrimit të automjeteve në targat RKS (Republika e Kosovës).

Faza e dytë parasheh gjobë prej 150 eurosh për shoferët që kanë automjete me targa serbe, ndërkaq në fazën e tretë do të përdoren targa provuese. Pas 21 prillit, sipas Qeverisë, nuk do të lejohet qarkullimi i automjeteve që nuk kanë targa RKS.