Nga sot të gjithë zyrtarët policorë serbë në katër komunat në veri do të dorëzojnë uniformat e Policisë se Kosovës

Nga sot të gjithë zyrtarët policorë serbë në katër komunat në veri të Kosovës, të cilët janë pjesë e Policisë së Kosovës do të dorëzojnë uniformat e tyre, duke shënuar kështu bojkot pas masave të ndërmarra në takimin e sotëm me Listën Serbe.

KALLXO.com ka mësuar se fillimisht sot komandantët e stacioneve policore në katër komunat në veri të Kosovës, (Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok) do të dorëzojnë uniformat e tyre nëpër stacionet ku punojnë.

Pas komandantëve tutje siç mëson KALLXO.com të gjithë zyrtarët policorë të njësive të ndryshme të cilët funksionojnë në veri të vendit, do të dorëzojnë uniformat e tyre në shenjë pakënaqësie pas suspendimit të drejtorit rajonal Nenad Gjuriq.

Në lidhje me armët dhe kartelat policore për të njëjtat nuk u tha se do të dorëzohen, kështu të paktën u pa edhe në takimin e sotëm në të cilin u njoftua dorëheqja, por u hoqën vetëm këmishat e kaltra të Policisë së Kosovës.

KALLXO.com tentoi të marrë përgjigje edhe për këtë çështje por askush nuk dha ndonjë përgjigje.

Aktualisht situata në veri të Kosovës është e qetë. Zyrtarët e institucioneve të Kosovës që janë në veri të Kosovës kanë dhënë dorëheqje ndërsa pozitat e tyre nuk dihet se si do të plotësohen.

Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq dhe katër kryetarëve të komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës, kanë vendosur për bojkotimin e institucioneve të Kosovës.

Zyrtarë të Policisë së Republikës së Kosovës nga komuniteti serb i kanë zhveshur uniformat. Ky veprim i tyre erdhi në takimin e thirrur nga Lista Serbe, takim u mbajt në Zveçan.

 

Serbët bojkotojnë institucionet e Republikës së Kosovës, policët zhveshin uniformat – FOTO

Lista Serbe marrin vendim – Rakiq jep dorëheqje nga posti i ministrit, serbët braktisin institucionet