Gjuriq nuk do të jetë pjesë e Policisë së Kosovës, Lista Serbe të dielën nis protestat
Nenad Gjuriq ka njoftuar sot se do të largohet nga Policia e Kosovës, pas suspendimit të tij me rekomandim të Inspektoratit Policor të Kosovës.
Kështu u bë e ditur në konferencën e cila u mbajt nga Lista Serbe, e në të cilën ishte i pranishëm edhe Gjuriq.
Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, në konferencë paralajmëroi nisjen e disa protestave të cilat tha se do të jenë paqësore.
“Ajo çka mund të them shtesë është që pasnesër në ora 12 do të kemi protestën e parë dhe nuk do të ndalemi, nuk do të pajtohemi, do të jemi politikisht të qetë si popull, do të kemi rezistencë demokratike dhe jo të dhunshme”- tha Rakiq.
Gjithashtu nesër është paralajmëruar edhe një takim urgjent mes Listës Serbe si dhe zyrtarëve serbë të cilët janë pjesë e institucioneve të Kosovës, për të marrë një vendim në lidhje me qëndrimin apo largimin e tyre nga të gjitha postet që kanë.
“Nesër do të marrim vendimin tonë dhe masat në konsultim me të gjithë kryetarët e institucioneve që udhëheqin institucionet me theks të veçantë në veri” – shtoi Rakiq.
Ai tha se rasti i suspendimi i Nenad Gjuriqit, pasi dyshohet se ka sabotuar dhe ka bërë thirrje për rezistencë për lëshimin e fletëqortimeve, ka qenë pika e cila sipas tij “ka mbushur kupën” dhe ka “prishur marrëveshjen e Brukselit”.
“Prishtina po e zbaton me muaj terrorin dhe nuk po mund të durojmë më, këtë e kemi thënë edhe me takimin me Vucic dhe kryetarin e qeverisë dhe nesër do të kemi një takim me përfaqësuesit e të gjitha institucioneve, nuk kemi ende orë të saktë” – shtoi Rakiq.
Drejtori i suspenduar nga detyra, Nenad Gjuriq, njoftoi në konferencë edhe dorëheqjen e tij nga Policia e Kosovës.
“Nuk dua të jem pjesë e gënjeshtrave, nga sot nuk dëshiroj të jem pjesë e Policisë së Kosovës për shkak se dua të dal ballëhapur me fytyrë të pastër para gjyqit të zotit”- tha Gjuriq.
Inspektorati Policor i Kosovës ka rekomanduar dje suspendimin nga puna të drejtorit të Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Nenad Gjuriq.
Kjo u bë për arsye se ai po dyshohet se po bën thirrje për rezistencë kur tha se policët në veri të Kosovës nuk do të zbatojnë vendimin e Qeverisë për shpërndarjen e fletëqortimeve, për shoferët që kanë automjete me targa të lëshuara nga Serbia.
“Ne nuk mund ta zbatojmë atë vendim sepse ai është politik dhe i drejtuar kryesisht kundër komunitetit serb, të cilit i përkasim edhe ne vetë”, tha Gjuriq më 2 nëntor dhe shtoi se “patrulla të njësive të trafikut nga Prishtina janë dërguar në veri, për të ushtruar presion”.
Gjuriq i bëri këto deklarata pas takimit me përfaqësuesit e Listës Serbe – partisë kryesore të serbëve në Kosovë dhe katër kryetarëve të komunave në veri, të banuara me shumicë serbe (Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok).
Ai tha se me këtë vendim paraprakisht është informuar edhe Drejtoria e Përgjithshme në Prishtinë si dhe të gjithë akterët ndërkombëtarë.
Që nga 1 nëntori, autoritetet në Kosovë kanë thënë se qytetarëve që kanë automjete me targa ilegale (KM), do të marrin fletëqortime. Kjo është faza e parë e planit prej tri etapash, që Qeveria e Kosovës ka thënë se do të zbatojë nga 1 nëntori deri më 21 prill të vitit 2023, sa i përket riregjistrimit të automjeteve në targat RKS (Republika e Kosovës).
Faza e dytë parasheh gjobë prej 150 eurosh për shoferët që kanë automjete me targa serbe, ndërkaq në fazën e tretë do të përdoren targa provuese. Pas 21 prillit, sipas Qeverisë, nuk do të lejohet qarkullimi i automjeteve që nuk kanë targa RKS.