Sot pritet të mbahet protesta e thirrur nga Lista Serbe

Sot, me fillim nga ora 12:00 pritet të mbahet protesta e thirrur nga Lista Serbe, para shtatores së “Car Llazarit” në Mitrovicën e Veriut.

Kjo protestë vjen një ditë pasi kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq dhe katër kryetarët e komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës, kanë vendosur për bojkotimin e institucioneve të Kosovës. Në veri të vendit,  zyrtarë policorë të komunitetit serb kanë dhënë dorëheqje duke e dorëzuar uniformën e Policisë së Kosovës.

E gjitha kjo pasi Inspektorati Policor i Kosovës ka rekomanduar para tri ditëve suspendimin nga puna të drejtorit të Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Nenad Gjuriq.

Kjo nën dyshimet se Gjuriq po bën thirrje për rezistencë kur tha se policët në veri të Kosovës nuk do të zbatojnë vendimin e Qeverisë për shpërndarjen e fletëqortimeve, për shoferët që kanë automjete me targa të lëshuara nga Serbia.

Nenad Gjuriq ka njoftuar të shtunën [5 nëntor] se do të largohet nga Policia e Kosovës, pas suspendimit të tij me rekomandim të Inspektoratit Policor të Kosovës.Kështu u bë e ditur në konferencën e cila u mbajt nga Lista Serbe, e në të cilën ishte i pranishëm edhe Gjuriq.

Aty kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, në konferencë paralajmëroi nisjen e disa protestave të cilat tha se do të jenë paqësore.

“Ajo çka mund të them shtesë është që pasnesër në ora 12 do të kemi protestën e parë dhe nuk do të ndalemi, nuk do të pajtohemi, do të jemi politikisht të qetë si popull, do të kemi rezistencë demokratike dhe jo të dhunshme”- tha Rakiq.

Gjithashtu për sot [6 nëntor] është paralajmëruar edhe një takim urgjent mes Listës Serbe si dhe zyrtarëve serbë të cilët janë pjesë e institucioneve të Kosovës, për të marrë një vendim në lidhje me qëndrimin apo largimin e tyre nga të gjitha postet që kanë.

Ai tha se rasti i suspendimi i Nenad Gjuriqit, pasi dyshohet se ka sabotuar dhe ka bërë thirrje për rezistencë për lëshimin e fletëqortimeve, ka qenë pika e cila sipas tij “ka mbushur kupën” dhe ka “prishur marrëveshjen e Brukselit”.

Që nga 1 nëntori, autoritetet në Kosovë kanë thënë se qytetarëve që kanë automjete me targa ilegale do të marrin fletëqortime.

Largimi i serbëve nga institucionet kosovare ka nxitur reagime të shumta.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, vendimin për largim të serbëve nga institucionet e Kosovës i ka quajtur veprime të Serbisë që për synim kanë destabilizimin e veriut të Kosovës.

“Veprimet e sotme të Serbisë, të cilat detyruan përfaqësuesit e zgjedhur dhe të emëruar të serbëve të Kosovës të tërhiqen, qoftë edhe përkohësisht nga pozitat e tyre në institucionet e Republikës së Kosovës, kanë për synim destabilizimin e veriut të vendit” – thuhet në komunikatën e lëshuar nga Zyra e Presidencës.

Osmani u ka bërë thirrje serbëve në Kosovë që të mos bien pre e propagandës nga Serbia për interesat e saj destabilizuese ndaj Kosovës dhe rajonit.

Kryeministri Albin Kurti reagoi duke thënë se Beogradi ka nisur kërcënimet dhe përgatitjet për destabilizimin e Kosovës.

Kurti nuk ka folur saktësisht për vendimin e fundit të zyrtarëve policorë nga komuniteti serb në veri, për t’u dorëhequr nga detyra, por ka kërkuar nga të gjithë qytetarët serbe që të ruajnë qetësinë, paqen dhe sigurinë, duke thënë se ai nuk është kreministër kundër tyre.

Në anën tjetër, kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq ka thënë se përfaqësuesit e serbëve nga Kosova me vendimin e tyre për bojkotim të institucioneve, janë duke mbrojtur të drejtën publike ndërkombëtare dhe marrëveshjen e Brukselit.

Të shtunën edhe zëvendëssekretari i NATO-s, Mircea Geoana, ka reaguar në lidhje me zhvillimet e fundit në veri, pasi Lista Serbe ka njoftuar se janë larguar nga institucionet shtetërore të Republikës së Kosovës.

Geoana tha se Kosova dhe Serbia duhet të parandalojnë përshkallëzimin, teksa shtoi se KFOR’i është i gatshëm për të ndërhyrë nëse rrezikohet stabiliteti.

Krahas kësaj, edhe përfaqësuesi i Posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak reagoi duke thënë se është plotësisht dakord me zëvendëssekretarin e NATO-s, Mircea Geoana, lidhur me deklarimin e këtij të fundit se Kosova dhe Serbia duhet të parandalojnë përshkallëzimin e situatës.

Kurse, Përfaqësuesi i lartë për politikë të jashtme dhe siguri i Bashkimit Evropian, Josep Borrell i bëri thirrje Qeverisë së Kosovës ta shtyjë afatin për regjistrim të targave nga ato ilegale serbe në RKS dhe pezullimin e çdo veprimi ndëshkues ndaj mbajtësve të targave KM.

Po ashtu bën thirrje që Kosova ta nisë menjëherë themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Ndërkaq serbëve të Kosovës, BE u ka kërkuar të kthehen në institucione.

“Kuvendi i Kosovës ka ratifikuar Marrëveshjen e Brukselit dhe Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka vendosur që Asociacioni/Bashkësia duhet të krijohet. Prandaj, themelimi i saj është obligim ligjor për Kosovën. Dështimi i vazhdueshëm për të zbatuar këtë obligim cenon parimin e sundimit të ligjit dhe dëmton reputacionin dhe kredibilitetin e Kosovës” – ka thënë ai.

“Ne i bëjmë thirrje Serbisë dhe përfaqësuesve të serbëve të Kosovës që të respektojnë obligimet e tyre të Dialogut dhe të kthehen në institucionet e Kosovës për të përmbushur detyrat e tyre, duke përfshirë policinë, gjyqësorin dhe administratat lokale” – thuhet tutje në deklaratën e Borrell.

Ai shton se EULEX-i dhe KFOR-i do të vazhdojnë mbështetjen për të mbajtur një mjedis të sigurt në përputhje me mandatet e tyre përkatëse.

Reagime pati edhe nga akterët opozitarë në vend.

Lidhja Demokratike e Kosovës i ka ftuar qytetarët në veri për qetësi ndërsa institucionet e Republikës së Kosovës për koordinim të ngushtë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe aleatët tjerë evropianë.

Sipas LDK-së, në kohën e zhvillimeve të fundit në veri të vendit, Kosovës i duhet udhëheqje e matur që nuk bie në grackat destabilizuese të Serbisë dhe që mjet të domosdoshëm ka koordinimin e ngushtë me aleatë ndërkombëtarë.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka thënë se duhet të shmanget rreziku i përshkallëzimit të situatës pas vendimit që serbët të largohen nga institucionet e Kosovës.

Krasniqi ka thënë se qëllimi duhet të jetë ruajtja e paqes dhe sigurisë.

KALLXO.com ka raportuar gjatë ditës së shtunë [5 nëntor] në vazhdimësi për zhvillimet në veri.

VIDEO – Krejt çfarë ndodhi e çfarë u tha sot në mbledhjen e Listës Serbe në Mitrovicë të Veriut