Polica raporton edhe një rast tjetër të dëmtimit të veturave në Zveçan

Policia e Kosovës ka njoftuar sot se para dy ditëve, një burrë është ankuar se disa protestues në fshatin Rudar të Zveçanit ia kanë dëmtuar veturën.

Sipas njoftimit të Policisë, ankuesi ka thënë se ngjarja ka ndodhur derisa ishte duke lëvizur me veturë dhe ka hasur në barrikadë.

Tutje është thënë se ankuesit i janë marrë edhe targat e veturës.

Ngjarja raportohet të ketë ndodhur më 31 korrik 2022, rreth orës 23:00.

Gjithmonë duke iu referuar njoftimit të Policisë, nuk është raportuar për të lënduar.

Policia ka thënë se lidhur me rastin është njoftuar prokurori dhe se rasti është nën hetime.

Gjatë ditës së djeshme Policia kishte njoftuar se një burrë ishte ankuar se më 31 ko0rrik 2022 i ishte dëmtuar vetura në fshatin Zerovnicë të Zveçanit.

Sipas njoftimit të Policisë, ankuesi ka thënë se disa persona të panjohur ia kanë dëmtuar veturën.

Lidhur me ngjarjen është thënë se rasti vazhdon në procedurë hetimore.

Policia në mëngjesin e djeshëm ka bërë të ditur se janë identifikuar 4 raste gjatë 31 korrikut, ku qytetarët shqiptarë që kanë qarkulluar në pjesën e pikave kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak, janë ndaluar dhe maltretuar.

Gjatë 31 korrikut, një ditë para se të hynin në fuqi dy vendimet e Qeverisë, vendimi për pajisje me dokumentin për hyrje-dalje të qytetarëve serbë në Kosovë, grupe të organizuara bllokuan rrugët që çojnë drejt pikave kufitare në Jarinje dhe Bërnjak.

Barrikadat e vendosura qëndruan nga 15 deri në 18 orë, të njëjtat u vendosën e u larguan nga persona të maskuar e vështirë të identifikueshëm.

Ngjarjet të cilat ndodhën dy ditët e kaluara në veri të vendit janë duke u trajtuar nga organet e rendit dhe sigurisë.

Drejtori i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti, tha se kanë hapur disa raste penale por ende janë në periudhë të verifikimit dhe identifikimit.

“Është ende një ditë dhe në momentin që kemi diçka zyrtare do të dalim  në konferencë”, tha shkurt Mehmeti në konferencën që u mbajt në objektet e stacionit “Qendra” në Prishtinë.

Kryeministri Albin Kurti përmes një deklarate kishte thënë se përgjegjësit kryesorë për tensionet në veri janë Aleksandar Vuçiq dhe Petar Petkoviq.

Qeveria e Kosovës pas takimit me ambasadorin amerikan kishte deklaruar se jep zotimin që të shtyhet zbatimi i dy vendimeve të reciprocitetit deri me datën 1 shtator 2022, nga momenti në ditën e hënë, 1 gusht 2022, kur do të hiqen të gjitha barrikadat dhe të vendoset liria e plotë e lëvizjes në të gjitha rrugët në veri të Kosovës.

Ky vendim kishte vazhduar të implementohet ndonëse vendimi ishte marrë që të shtyhej për një muaj. Kjo kishte ndodhur pasi kryeministri i vendit kishte vendosur që marrëveshjet të mos shtyhen derisa të largoheshin nëntë barrikadat e vendosura në zonat veriore.

Për 12 orë, nga ora 00:01 deri në 12:00, në të gjitha pikat kufitare, përveç asaj në Jarinje dhe në Bërnjak ishin lëshuar 1 mijë e 501 dokumente për hyrje-dalje.

Një burrit i dëmtohet vetura në Zveçan, Policia jep detaje