Podujevë, dezinfektohen shtëpitë në fshatin e të prekurit me coronavirus

Kompania e kontraktuar nga Komuna e Podujevës për dezinfektim, mbrëmë ka shkuar në fshatin Dumnicë, për t’i dezinfektuar shtëpitë në lagjen prej nga vjen i prekuri me coronavirus.

Në të njëjtën kohë ka filluar dezinfektimi i objekteve të QKMF në Podujevë, Stacionit të Policisë, objektit të administratës komunale dhe objekteve të tjera publike.

Komuna e Podujevës vazhdoi me dezinfektimin edhe gjatë orëve të vona në objekte të tjera të banimit kolektiv në qytet, ndërsa sot është paraparë që i njëjti proces të kryhet edhe në Lagjen e Dëshmorëve.

Një qytetar i Komunës së Podujevës pas kryerjes së analizave në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, ka rezultuar pozitiv në COVID 19.

Personi i infektuar para pak ditësh ishte kthyer Italia, vend ky në gjendje emergjente për shkak të numrit të madh të personave të prekur me coronavirus.

Qeveria e Kosovës mbrëmë ka shpallur gjendje emergjente të shëndetit publik. /21Media