Shkolla fillore "Hilmi Rakovica"

Pezullohet mësimi në shkollën që u përfshi nga zjarri në Prishtinë

Është pezulluar mësimi për ditën e sotme në shkollën fillore ‘Hilmi Rakovica’ në Prishtinë, pasi që një pjesë e vogël e kulmit të kësaj shkolle, mëngjesin e sotëm u përfshi nga zjarri.

Drejtori i shkollës, Skender Halimi, ka thënë për KALLXO.com, se në koordinim me Drejtorinë e Arsimit, është vendosur për pezullimin e mësimit.

“Nuk ka ndonjë arsye të fortë, sepse dëme kemi shumë pak, vetëm në pjesën e kulmit afër oxhakut. Por, për shkak të shqetësimit të nxënësve dhe të prindërve, kemi vendosur që për sot të pezullohet mësimi”, ka thënë Halimi.

Sipas tij, zjarri është shkaktuar pasi që një pjesë e oxhakut është nxehur shumë dhe ka kapluar një pjesë të vogël të kulmit. Ndërsa punëtorët teknik të shkollës e kanë vërejtur zjarrin dhe e kanë lokalizuar menjëherë.

Në lidhje me rastin është deklaruar edhe Policia e Kosovës, ku përmes një njoftimi tha se nuk ka pasur të lënduar nga ky incident.

“Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes dhe nga informatat e para bëhet e ditur se oxhaku i ngrohjes së shkollës dyshohet të jetë përfshirë nga zjarri”, ka thënë për KALLXO.com Agron Borovci nga Policia e Kosovës.

 

Zjarr në një shkollë në Prishtinë