MASHTI për fillimin e mësimit: Do të rishikohet kalendari i vitit shkollor

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI), pas pezullimit të grevës një muajshe në arsim, ka njoftuar gjithë nxënësit, mësimdhënësit dhe prindërit se nesër (e hënë) fillon mësimi në të gjitha nivelet e arsimit parauniversitar.

MAShTI ka theksuar se  i kishte bërë përgatitjet e duhura që viti i ri shkollor të fillonte me 1 shtator kur zyrtarisht duhej të fillonte mësimi, por që kjo nuk u realizua për shkak të grevës së organizuar nga SBASHK.

Kjo ministri ka njoftuar se të hënën do të formojë grupin punues për të rishikuar Udhëzimin Administrativ për Kalendarin e vitit shkollor dhe në bazë të tij do të bëhen edhe riplanifikimet në shkolla.

“Drejtoritë Komunale të Arsimit do të sigurohen për mbarëvajtjen e procesit mësimor. Ministria e Arsimit fton për bashkëpunim dhe mobilizim të të gjithëve pa dallim për të plotësuar humbjet e shkaktuara gjatë grevës”- thuhet në njoftim.

Gjithashtu, MAShTI njofton se janë shpërndarë të gjitha tekstet në komuna e shkolla sipas kërkesave të Drejtorive Komunale të Arsimit.

Sipas tyre, Teksti i Gjuhës Shqipe, klasa e pestë, tekst i ri i hartuar këtë vit, do të dërgohet brenda kësaj jave në shkolla.

Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës ka njoftuar zyrtarisht të shtunën se kanë pezulluar grevën e filluar më 25 gusht në administratën publike dhe arsim deri në janarin e vitit 2023.

Kryetari i SBAShK-ut, Rrahman Jasharaj, ka dekalruar se greva nuk do të ndërpritet por do të pezullohet.

Pezullohet greva deri në janar 2023